Konferenca e Ambasadorëve, diskutohet roli i Shqipërisë si nxitëse e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë
2024-08-28 11:43:46

Konferenca e ambasadoreve (Foto Atsh)

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, ku paneli, që mblodhi së bashku ekspertë të shquar nga rajoni, diskutoi mbi stabilitetin dhe sfidat aktuale në Europën Juglindore, shkruan “ATSH”.

Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Bujar Osmani, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, dhe Ardian Hackaj, drejtor kërkimor dhe koordinator i “Tirana Connectivity Forum”, ndanë këndvështrimet e tyre mbi rrugët e mundshme përpara dhe diskutuan rolin e Shqipërisë si nxitëse e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, duke nxjerrë në pah nevojën për qasje të reja inovative dhe gjithëpërfshirëse, për të përballuar sfidat ekzistuese dhe për t’i shndërruar ato në mundësi për progres.

Ky diskutim nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit si dhe hodhi bazat për një dialog të vazhdueshëm që synon të forcojë stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin, bën të ditur “ATSH”. (Irma)