Sulmet ruse (Foto Rtsh)
Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës thonë se i gjithë vendi është nën kërcënimin e një sulmi me armë balistike nga Rusia. Janë raportuar edhe sulme masive me dron, shkruan “RTSH”.
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur përmes një deklarate se armatime precize me rreze të gjatë dhe me bazë detare ishin përdorur për të goditur stacionet e energjisë dhe infrastrukturën përkatëse në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë Kievin, Lvivin dhe rajonet Kharkiv dhe Odesa. Të paktën gjashtë persona humbën jetën gjatë natës të së dielës deri të hënën dhe dhjetëra u plagosën pasi më shumë se gjysma e rajoneve të Ukrainës u sulmuan nga dronë dhe raketa.
Infrastruktura e energjisë elektrike u godit duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në shumë qytete, ku u prekën edhe furnizimet me ujë.
Presisenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të ndryshojnë rregullat e tyre dhe të lejojnë Ukrainën të përdorë armët për të goditur më thellë brenda Rusisë.
Ukraina lejohet të përdorë disa armë perëndimore për të goditur objektivat brenda Rusisë, por jo armë me rreze të gjatë veprimi. (Irma)