Foto nga VCG
Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Torontos dhe instituti qeveritar australian CSIRO studiuan bazat e të dhënave ekzistuese për të kuptuar shtrirjen e problemit të mikroplastikës në oqeane. Ekipi vlerësoi se 11 milionë tonë mbetje plastike gjenden në thellësi.
“Ky është vlerësimi ynë i parë i vëllimit të plastikës në tabanin e oqeanit, ku grumbullohet para se të ndahet në copa më të vogla dhe të përzihet me sedimentin e poshtëm.
“Ne e dimë se miliona tonë mbetje plastike përfundojnë në dete çdo vit, por nuk e dinim se sa prej tyre përfunduan në shtratin e detit. Zbuluam se shtrati i detit është bërë një varrezë apo depo për pjesën më të madhe të ndotjes plastike që përfundon në det”, tha Dr Denise Hardesty, nga instituti australian.
Udhëheqësja e studimit, Alice Zhu, një studiuese në Universitetin e Torontos, thotë se ndotja plastike në shtratin e detit mund të jetë njëqind herë më e madhe se ajo që është regjistruar dhe vlerësuar të jetë duke lundruar në sipërfaqen e oqeaneve. “Sipërfaqja e oqeanit është një vend pushimi i përkohshëm për plastikën. Nëse zvogëlojmë vëllimin e plastikës që përfundon në dete, është e sigurt që do të ulet edhe vëllimi i plastikës në shtratin e detit.
Por studimi tregoi se ndotësit plastikë do të vazhdojnë të përfundojnë në fundin e oqeanit, i cili bëhet një varr i përhershëm i ndotjes plastike detare”, tha Zhou.
Të dhënat nga dronët treguan se midis 3 dhe 11 milion tonë mbetje plastike aktualisht ndodhen në fund të oqeaneve të Tokës. Këto plastika janë të përqendruara kryesisht nëpër kontinente. 46% e tyre ndodhen në thellësi nga 200 metra në sipërfaqe, ndërsa 54% e mbetur duket se janë në thellësi nga 200 metra deri në 11 km.
Studimet tregojnë se 1.9 milionë copë mikroplastikë gjenden në çdo metër katror të shtratit të detit. Ndërkohë, rrymat nënujore i bartin këto mbetje plastike në distanca të gjata.
Foto nga VCG
Po si përfundon plastika në det dhe cilat janë dëmet e saj?
Shumica e mbetjeve plastike vijnë nga toka. Paketimet e ushqimeve, qeset plastike dhe mbeturinat komerciale, hidhen në lumenj dhe kanalizime dhe pastaj përfundojnë në det. Por edhe plazhet ndoten dendur nga materialet plastike. Rreth 1000 lumenj hedhin në det rreth 80 përqind të mbetjeve plastike që detet përmbajnë, ndërsa 20 përqind e mbetjeve vjen nga aktiviteti i njerëzve në det.
Rrobat dhe kozmetika gjithahstu lëshojnë një numër të madh të mikroplastikave, që janë grimca të vogla rreth 5 milimetra.
Materialet plastike karakterizohen nga një dekompozim i ngadaltë i cili shkon nga 100-500 vjet apo edhe deri në 1000 vjet. Për shembull, një qese plastike kërkon një kohë rreth 20 vjet që të dekompozohet ndërsa një rrjetë detare kërkon një periudhë kohore prej 600 vjetësh. Mbetjet plastike ne i shohim edhe me sy të lirë, shpesh të hedhura në hapësira të ndryshme, të tilla si bidona uji, tapa shishesh, shishe detergjentësh, kuti ushqimesh, shapka plazhi, pajisje kozmetike plastike, qese plastike, tuba etj. Efekti negativ i tyre është si për botën ujore të kafshëve, edhe për atë të njerëzve.
Foto nga VCG
Shpesh fokat, luanët e detit, breshkat apo gjallesa të tjera detare si dhe zogj detarë ngecin në objekte plastike dhe vriten e ngordhin pikërisht nga ky shkak. Ndërkaq mikroplastikat gëlltiten bashkë me ushqimin nga balenat, peshqit dhe organizmat e tjerë të detit. Për shkak se plastikat nuk dekompozohen për shumë vite, ato mund të prekin dhe të përfshihen në organet dhe indet e shumë gjallesave. Ndotja nga plastika është një lloj ndotjeje e ngadaltë dhe përbën një rrezik të heshtur.
Ky rrezik është i pranishëm edhe për njerëzit. Shpesh mikroplastikat janë të kombinuara me metalet dhe mund të hyjnë edhe në organizmin e njerëzve nëpërmjet konsumit, por ato mund të hyjnë edhe nëpërmjet zinxhirit ushqimor ku njeriu është konsumator i gjallesave të detit e ku gjithmonë e më shumë në stomakun e tyre janë gjetur mikro e makroplastika.
Ndotja plastike në shtratin e detit mund të jetë 100 herë më e madhe se sasia e plastikës që noton në sipërfaqe. Prandaj, fundi i oqeanit është bërë një depo afatgjatë për pjesën më të madhe të mbetjeve plastike.
Përgatiti: N.Kraja