Kryediplomati spanjoll: Sulmet e Izraelit ndaj Libanit rrezikojnë luftë rajonale
2024-08-28 15:27:26

Ministri spanjoll (Foto Atsh)

Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares (Foto Atsh)

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, deklaroi se sulmet që Izraeli ka nisur në jug të Libanit e rrisin në nivelin më të lartë rrezikun e luftës rajonale.

Në një deklaratë mediatike, Albares tha se tensionet janë në nivelin më të lartë që nga dita kur filloi lufta në Gaza. Sipas tij, ky konflikt i drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Hezbollahut ka arritur në një pikë që është paralajmëruar prej muajsh, shkruan “ATSH”.

“Është e mundur që lufta të zgjerohet deri në Liban dhe që ajo të shndërrohet në një luftë rajonale që mund të shkaktojë pasoja shumë serioze. Rreziku i luftës rajonale për të cilën kemi paralajmëruar që në fillim është në nivelin më të lartë. Ajo që duhet të bëhet në afat të shkurtër është sigurimi i një armëpushimi në Gaza”,- theksoi Albares.

Ai theksoi se duhet me patjetër të mbërrijnë pa asnjë pengesë ndihmat humanitare dhe të krijohet një mjedis ku mund të ndërtohet dialog mes izraelitëve dhe palestinezëve.

“Në fund duhet të ketë një shtet palestinez i cili duhet të jetojë së bashku në fqinjësi të mirë me shtetin izraelit”,- deklaroi kryediplomati spanjoll. (Irma)