foto nga CFP
Kryediplomati kinez Wang Yi u takua të martën në Pekin me këshilltarin amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, ndërsa dy ekonomitë më të mëdha të botës shpresojnë të mbajnë kanalin e tyre të komunikimit në përpjekje "për të stabilizuar" marrëdhëniet dypalëshe.
Duke pranuar se marrëdhëniet dypalëshe kanë pasur zigzage gjatë viteve të fundit, Wang shprehu shpresën që raundi i ri dialogut Kinë-ShBA do të nxitë marrëdhëniet dypalëshe sipas "vizionit të San-Franciskos" dhe "do të kapërcejë ndërhyrjet e do të heqë pengesat", duke bërë që ato të zhvillohen në mënyrë "të qëndrueshme, të shëndetshme e të vazhdueshme".
Udhëtimi treditor i Sullivan-it në kryeqytetin kinez shënon takimin e tij të pestë me ministrin Wang. Ata u takuan për herë të fundit në janar në Bangkok të Tajlandës, dy muaj pasi presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden zhvilluan bisedime në San-Francisko. Dy krerët e shteteve u angazhuan në shkëmbime "të sinqerta", duke përcaktuar edhe kursin për marrëdhëniet kino-amerikane.
Wang Yi, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, theksoi se misioni madhor i bisedimeve të kësajhershme është që ato të vazhdojnë konsensusin e arritur nga të dy presidentët në San-Francisko.
Ai theksoi gjithashtu kursin e përgjithshëm për zhvillimin e marrëdhënieve të Kinës me ShBA-në, që përbëhet nga respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta.
Sullivan-i e pranoi se dy ekonomitë kryesore të botës duhet të bashkëpunojnë në fushat me interes të përbashkët dhe të shmangin shndërrimin e "konkurrencës" në "konflikt".
Zyrtari amerikan i bëri jehonë mendimit të Wang-ut, duke shprehur shpresën se, nëpërmjet këtyre shkëmbimeve strategjike, do të zhvillojë një dialog frytdhënës me palën kineze mbi një gamë të gjerë temash, duke konkretizuar siç duhet konsensusin e arritur nga presidentët e të dy vendeve. (Wang Lei/ Artan)