Trump (Foto Panorama)
Prokurori i posaçëm në SHBA, Jack Smith, i kërkoi Gjykatës federale të Apelit të rikthejë çështjen penale që akuzon ish-presidentin amerikan Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, pasi një gjykatë më e ulët e rrëzoi këtë padi në korrik, shkruan “Panorama”.
Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, prokurori Smith dhe ekipi i tij i kërkojnë Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara me seli në Atlanta, që ka juridiksionin për Qarkun XI, të anulojë vendimin e 15 korrikut të dhënë nga gjyqtarja Aileen Cannon, ku ajo arriti në përfundimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritetin ligjor për ngritjen e padisë.
“Kongresi i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu si drejtuesve të shumë departamenteve të ekzekutivit, autoritet të gjerë për të strukturuar agjencinë që ai drejton për të ushtruar përgjegjësitë e vendosura mbi të me ligj. Pikëpamja e kundërt e gjykatës së rrethit bie ndesh me një kurs ndryshe të pandërprerë vendimesh, përfshirë nga Gjykata e Lartë, se Prokurori i Përgjithshëm e ka një autoritet të tillë dhe është në kundërshtim me praktikat e gjera dhe të hershme të emërimeve në Departamentin e Drejtësisë dhe në të gjithë qeverinë”,- shkruhet në kërkesën e prokurorisë.
Zyra e prokurorit Smith i kërkoi gjithashtu Gjykatës së Apelit të caktojë një datë për paraqitjen e argumenteve verbale.
Në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, ish-presidenti Trump u padit me akuzat se mbante me dashje dokumente të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i marrë këto materiale. (Irma)