Kancelari gjerman (Foto Panorama)
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se dëshiron të rrisë dëbimet e emigrantëve të jashtëligjshëm, disa ditë pas një sulmi me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit, shkruan “Panorama”.
“Dëbimet duhet të përshpejtohen, me rregullore ligjore nëse është e nevojshme”,- tha Scholz gjatë një vizite në Solingen.
Kancelari gjithashtu kërkoi zbatimin e qëndrueshëm dhe praktik të ligjeve ekzistuese, përfshirë ato për emigrantët që aplikojnë për azil në Gjermani dhe jo në vendin e parë të Bashkimi Europian ku ata mbërrijnë, në kundërshtim me Rregulloren e Dublinit.
“Me siguri do të ketë kuptim të krijohet një grup i posaçëm për të studiuar këtë”,- theksoi Scholz.
Tre njerëz u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin e së premtes në një shesh në qendrën e qytetit të Solingenit. I dyshuari 26-vjeç, me origjinë nga Siria, u dërgua në paraburgim me urdhër të gjykatës, raporton agjencia gjermane “DPA”.
Sulmuesi, i cili dyshohet se është anëtar i grupit terrorist të Shtetit Islamik, raportohet se ishte parashikuar të dëbohej në Bullgari pas mbërritjes në Gjermani në vitin 2022, por policia nuk arriti ta lokalizonte atë. (Irma)