OBSh: Nevojiten 135 milionë dollarë për të luftuar linë e majmunit
2024-08-28 16:22:49

Lija e majmunit (Foto Atsh)

Lija e majmunit (Foto Atsh)

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se nevojiten rreth 135 milionë dollarë për të luftuar sëmundjen virale të lisë së majmunit gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Kjo shifër nuk përfshin koston e 2 milionë dozave të vaksinës, sipas një dokumenti plani nga agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, shkruan “ATSH”.

Sipas OBSH-së, paratë do të investohen kryesisht në teste diagnostikuese dhe kërkime.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpjegoi se masat për të parandaluar transmetimin nga kafshët te njerëzit dhe për të përfshirë komunitetet në luftën kundër lisë së majmut duhet të financohen sa më parë.

OBSH-ja shpalli së fundi nivelin më të lartë të alarmit për shkak të epidemisë së lisë së majmunit në Afrikë dhe një variant të ri, potencialisht më të rrezikshëm.

Sipas OBSH-së, më shumë se 18.000 raste të dyshuara me 575 vdekje janë regjistruar tashmë në Republikën Demokratike të Kongos këtë vit. (Irma)