Janar-korrik 2024: dy herë më shumë turistë nga Kina në Shqipëri
2024-08-27 09:38:38

Turistë nga Kina në Krujë (Foto CMG)

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i qytetarëve vizitorë nga Kina në Shqipëri për shtatëmujorin janar-korrik 2024 ishte 13 mijë vetë, ose 119 përqind më shumë se e njëjta periudha e vitit 2023. Praktikisht, rreth 2.2 herë më shumë se janar-korriku i vitit 2023. Shtimi eshtë i ndjeshëm edhe përgjatë tetë viteve të fundit. Në 2017, vendin tonë e vizituan 10 mijë qytetarë kinezë gjatë gjithë vitit.

Viti 2024 nisi i mbarë që në janar, kur Kalanë mesjetare të Krujës dhe Muzeun Historik brenda kalasë e vizituan 15 operatorë turistikë nga Kina, pjesë e një FAM Trip, organizuar nga kompania Landways International. Përfaqësuesit e kompanive kineze shprehën interes dhe optimizëm për rritjen e numrit të turistëve nga ky vend në Shqipëri dhe kjo u realizua në këto shtatë muajt e parë të vitit, me perspektivën që duket premtuese edhe për pesë muajt e tjerë të mbetur.

Turistët kinezë janë të njohur për interesin e tyre kulturor, historik dhe natyror, kur vizitojnë me grupe apo individualisht vende të ndryshme të botës. Sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë,  turistët kinezë zenë vendin e parë në listën e turistëve që e kanë vizituar këtë muze, ndër më të rëndësishmit në Shqipëri.

Një tjetër vend në Shqipëri, që qytetarët kinezë kanë kureshtje të vizitojnë është qyteti i Elbasanit. Kalaja në qendër të qytetit, më e madhja në zonë fushore në të gjithë rajonin e Ballkanit, traditat, kulinaria dhe mikpritja janë disa nga përshtypjet e mira që konstatojnë turistët atje. Por në mënyrë të veçantë, Elbasani po preferohet nga turistët kinezë, pasi ka patur një lidhje të hershme me Kinën, që në kohën e ndërtimit të ish-Kombinatit Metalurgjik atje, në mesin e viteve 70-të të shekullit të kaluar.

Në qytet ka një lagje që quhet “Lagjja e Kinezëve” dhe herë pas here, bashkia e qytetit ose organizata jofitiprurese organizojne aktivitete njohëse për Kinën.

Sot turistët kinezë, edhe pse nuk preferojnë të vizitojnë atë çfarë ka mbetur nga kompleksi industrial i ish-Metalurgjikut, sërisht e pëlqejnë Elbasanin, për historinë, kulturën, artizanatin dhe natyrisht kulinarinë, duke e bërë qytetin një ndër stacionet e qendrueshme të grupeve turistikë që vijnë nga Kina.

Një arësye tjetër e fortë dhe e qendrueshme e rritjes së numrit të turistëve kinezë në Shqipëri është edhe trendi global i udhëtimeve turistike të qytetarëve kinezë jashtë vendit të tyre. Sipas një raporti të qershorit nga kompania ndërkombëtare e mirënjohur e udhëtimeve dhe e teknologjisë “Sabre”, tregu i udhëtimeve të kinezëve jashtë Kinës po përjeton një ringjallje të jashtëzakonshme në ekonominë e dytë më të madhe të botës, me një rritje gati 400 perqind të rezervimeve për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Përpara pandemisë, turistët nga Kina kryenin 155 milionë udhëtime ndërkombëtare, duke shpenzuar kolektivisht shumën prej 245 miliardë dollarësh.

Ja pse e gjithë bota ka pritur që Kina të rihyjë në tregun global të turizmit në një mënyrë të fortë. Udhëtarët kinezë janë gjithashtu të njohur për shpenzimet e tyre të larta kur udhëtojnë, duke shpenzuar mesatarisht 1000 dollarë në ditë gjatë udhëtimeve të tyre.

“Sabre” thotë se gjatë nëntë viteve te fundit deri në vitin 2023, të ardhurat e disponueshme për frymë afërsisht u dyfishuan në Kinë, gjë që potencialisht nënkupton më shumë fonde për të shpenzuar për udhëtime jashtë vendit.

Turistë kinezë vizitojnë Krujën (Foto CMG)

Kinezët festuan Vitin e Ri 2024 në Krujë (Foto CMG)

Një tjetër arësye për kureshtjen e lartë të qytetarëve kinezë për të vizituar vendin tonë është edhe shtypi i tyre dhe informacioni i gjerë që jepet për Shqipërinë atje.

Një nga mediat më të njohura me bazë në Hong Kong, BNN Breaking e Hong-Kongut, i fton qytetarët kinezë të eksplorojnë ndikimin e bumit turistik të Shqipërisë dhe tërheqjen e saj në tregun global. Në një artikull të BNN Breaking të Hong-Kongut citohet se “Këtë vit, vendi i shqiponjave ka parë një fluks të paprecedentë vizitorësh, gati gjysmë milioni, duke shënuar një moment historik të rëndësishëm në narrativën turistike të vendit.

Kjo rritje prej 30% nga një vit më parë, nuk është thjesht një numër; është një dëshmi që Shqipëria bëhet një strehë në rritje për turistët që kërkojnë aventura përtej destinacioneve të zakonshme.

Me shumicën që vjen nga Evropa, e ndjekur nga një numër i dukshëm nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, joshja e Shqipërisë si destinacion gjatë gjithë vitit është e pamohueshme”, thuhet në artikull.

Në vijim të artikullit, Shqipëria paraqitet për lexuesit aziatikë si një destinacion gjatë gjithë vitit. “Historia e bumit të turizmit të Shqipërisë është e lidhur ngushtë me evoluimin e saj si një destinacion. Kohët kur turistët dynden vetëm gjatë stinëve të festave të zakonshme kanë ikur. Sot, Shqipëria fton eksplorues gjatë gjithë vitit, duke ofruar një përzierje të plazheve të diellit, maleve të mbuluara me borë dhe përvojave të gjalla kulturore. Ky transformim përforcohet më tej nga investime të rëndësishme në infrastrukturë, duke përfshirë zgjerimin ambicioz të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duke synuar të akomodojë numrin në rritje të vizitorëve”- shkruhet në artikull. Në fund, media kineze cilëson se, në një botë të etur për të zbuluar territore të paeksploruara dhe përvoja autentike, Shqipëria shquhet si një fener për udhëtarët.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të disa agjensive turistike të Shqipërisë, numri i qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë për në Kinë është në rritje dyshifrore, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Megjithatë, në shkëmbimet turistike mes Shqipërisë dhe Kinës mbizotëron fluksi i turistëve kinezë dhe kjo është e kuptueshme. 

Kina ka treguar ndër vite se është shteti, i cili ka më shumë turistë që lëvizin në të gjithë botën. Për turistët kinezë, Evropa vazhdon të jetë tërheqëse.

Perspektiva e fluturimeve direkte Kinë-Shqipëri do të rritet ndjeshëm, me futjen në funksionim të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, me gjatësi piste 3.2 km dhe i kategorisë 4E, që lejon udhëtimet transatlantike. Aeroporti do të përfundojë ndërtimin fizik të tij në fund të dhjetorit të këtij viti dhe në muajt mars-prill 2025 do të jetë gati për operim.    

Në 75 Vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës, aktualisht ekziston mes të dyja vendeve tona një klimë shumë e mirë bashkëpunimi, me një nivel të kënaqshëm të dialogut politik dhe të shkëmbimit të vizitave në nivele të lartë. Shqipëria synon forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: qeveritar, parlamentar, jo-qeveritar, akademik, kulturor, turistik dhe në të gjitha fushat e tjera me interes reciprok.

Fatos Çoçoli