Foto nga VCG
Një javë pasi Bjellorusia njoftoi se po vendoste përforcime në kufirin e saj me Ukrainën, qeveria ukrainase ka konfirmuar se trupat po mblidhen përgjatë kufirit me fqinjin e saj, shkruan “ATSH”.
Ministria e Jashtme e Ukrainës bëri të ditur se njësi të reja me tanke, artileri dhe mbrojtje ajrore u vëzhguan në rajonin Gomel të Bjellorusisë. Ajo u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse bjelloruse mos të bëjnë asnjë gabim tragjik për vendin e tyre.
Ministria gjithashtu i bëri thirrje Bjellorusisë që të tërheqë trupat në një distancë të përshtatshme nga zona e përbashkët kufitare.
Ukraina bëri të ditur se nuk po planifikonte asnjë veprim armiqësor kundër popullit bjellorus.
Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, kishte njoftuar më herët përforcime trupash në kufirin me Ukrainën, duke përmendur grumbullimin e madh të trupave në anën ukrainase si arsye për këtë. Ai pretendoi se Ukraina kishte vendosur deri në 120.000 ushtarë atje. (Fatosi)