Sulmi ndaj Reuters (Foto Rtsh)
Një shtetas britanik, i cili punonte në Ukrainën lindore si pjesë e ekipit të lajmeve të “Reuters”, ka mbetur i vrarë në një sulm me raketa në hotelin ku qëndronte, njofton “RTSH”.
Ryan Evans ishte një nga gjashtë punonjësit e “Reuters” që qëndronin në “Hotel Sapphire” në qytetin e Kramatorsk, i cili është nën kontrollin e Ukrainës, por afër vijës së frontit, kur u godit.
Autoritetet ukrainase thanë se hoteli u godit nga një raketë ruse. Ndërsa Kremlini nuk ka bërë asnjë koment për këtë ngjarje.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i “Reuters” tha se dy anëtarë të tjerë të ekipit janë shtruar në spital dhe njëri prej tyre po trajtohet për lëndime të rënda.
Më herët, “Reuters” publikoi pamjet që tregonin pjesë të hotelit të shkatërruara plotësisht nga sulmi, me zjarrfikësit që përpiqeshin të gërmonin rrënojat.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës njoftoi në një deklaratë se hoteli ka të ngjarë të ishte goditur me një raketë me rreze të shkurtër veprimi “Iskander-M”. (Fatosi)