Papa Françesku dënon vendimin e Ukrainës për ndalimin e aktiviteteve të lidhura me Kishën Ortodokse ruse
2024-08-27 11:12:31

Papa (Foto Shqiptarja.com)

Papa Françesku ka dënuar vendimin e Ukrainës për të ndaluar organizatat fetare të lidhura me Kishën Ortodokse ruse, njofton “Panorama”.

“Asnjë kishë e krishterë nuk mund të përjashtohet direkt apo indirekt. Kishat nuk duhet të preken”,- deklaroi papa gjatë një lutje javore, një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi legjislacionin që i ndalon aktivitetet e Kishave Ortodokse Ukrainase të lidhura me Rusinë.

“Duke menduar për ligjin e miratuar në Ukrainë, druhem për lirinë e atyre që luten”,- tha Ati i Shenjtë.

“Nuk mund të bësh keq duke u lutur. Nëse dikush i bën diçka keq popullit të vet, ai është fajtor. Por, ai nuk mund të ketë bërë diçka keq duke u lutur”,- tha papa.

Duke e nënshkruar legjislacionin më 24 gusht, Zelensky nënvizoi atë që e quajti pavarësi shpirtërore të popullit ukrainas, duke thënë se Kisha Ortodokse e Ukrainës (OCU) po ndërmerr hapa drejt çlirimit nga djajtë e Rusisë.

Kisha Ortodokse Ukrainase e lidhur me Rusinë bëri të ditur se i prishi marrëdhëniet me Patriarkanën e Moskës më 2023, pas nisjes së konfliktit.

Megjithatë, autoritetet ukrainase e akuzuan atë se kishte ruajtur lidhjet me Rusinë.

Ligjvënësit ukrainas e miratuan më 20 gusht legjislacionin që ndalon punën e organizatave fetare të lidhura me Kishën Ortodokse ruse, të cilën Ukraina e sheh si mbështetëse të konfliktit.

Po ashtu, papa shprehu dhembje për konfliktin në Ukrainë. (Fatosi)