Foto nga CFP
Fitimet e firmave të mëdha industriale të Kinës në shtatë muajt e parë të vitit u shtuan 3.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një normë rritjeje 0.1 pikë përqindje më të lartë se ajo e regjistruar në gjysmën e parë të vitit, treguan të dhënat e publikuara të martën nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS) e Kinës.
Fitimet e firmave industriale me të ardhura vjetore nga biznesi së paku 20 milionë juanë (rreth 2.81 milionë dollarë) arritën në 4.1 trilionë juanë gjatë periudhës janar-korrik.
Në korrik, fitimet e firmave të mëdha industriale u rritën me 4.1 për qind, 0.5 pikë përqindjeje më shumë se në qershor, duke u përshpejtuar për të dytin muaj me radhë.
NBS vuri në dukje se rritja e fitimeve industriale u drejtua nga industria e prodhimit të teknologjisë së lartë. Në janar-korrik fitimet e industrisë së prodhimit të teknologjisë së lartë u rritën 12.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e shtuar rritjen e fitimeve të përgjithshme industriale me 2.1 pikë përqindjeje e duke përbërë një kontribues të madh në këtë rritje.
Ndërsa fitimet në industrinë e prodhimit të mallrave të konsumit u shtuan 10.2 %. Ruajta e rritjes dyshifrore tregon se konsumi i brendshëm po mëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme dhe kërkesa për eksport po rritet, theksoi statistikani i NBS-së Yu Weining.