BSH, parashikimi i rritjes ekonomike të vendit nisur nga kërkesa e brendshme dhe e huaj
2024-08-26 10:36:17

Rritja ekonomike në 2024 (Foto Altax.al)

ipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pasqyroi rritjen e konsumit familjar, të investimeve të sektorit privat dhe të rritjes së eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave shënoi rënie, ndërsa politika fiskale vijoi të ndjekë një kurs konsolidimi. Të dhënat janë komentuar edhe në daljen e fundit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko,  lidhur me vendimin e normës bazë të interesit.

Ky profil kërkese ka sjellë zgjerimin e aktivitetit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë shënuan rënie. Të dhënat e tremujorit të dytë sugjerojnë një ecuri të ngjashme me ato të tremujorit të parë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet e bankës.

“ Zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet tona. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij. Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen”, tha Sejko

Në veçanti tha guvernatori i BSH-së, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër. 

“Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%. Kjo ecuri u diktua thuajse tërësisht nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe në veçanti të frutave e perimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte përgjithësisht i qëndrueshëm, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse. Nga këndvështrimi makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të dytë ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste shfaqen më të qëndrueshme”, tha guvernatori Sejko

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e inflacionit të importuar ka pasqyruar si ndikimin e forcimit të kursit të këmbimit, ashtu edhe rënien e inflacionit në partnerët tanë tregtarë. “Në veçanti, ngadalësimi i shpejtë i inflacionit të ushqimeve në vend ka ecur paralelisht me një ecuri të ngjashme në tregjet ndërkombëtare, duke sugjeruar se kjo ecuri pasqyron një goditje pozitive oferte. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste mbështetet si nga kërkesa solide për mallra e shërbime, ashtu edhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.”

Rritja ekonomike (Foto konica.al)

Analizat e Bankës Qendrore  sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.

“ Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, si dhe në mungesat e vëna re në tregun e punës. Në veçanti, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime është shoqëruar me rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe të pagave në sektorin privat. Ndonëse të dhënat zyrtare për tregun e punës nuk janë ende të disponueshme, informacioni i tërthortë sugjeron se trendet pozitive të regjistruara në tregun e punës gjatë vitit të shkuar kanë vijuar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit aktual. Rritja e pagave në sektorin privat gjeneron më shumë të ardhura për familjet shqiptare, por ajo vijon të ushtrojë presion mbi kostot e prodhimit dhe çmimet e konsumit.”

Ku është mbështetur zgjerimi i aktivitetit ekonomik?

“Nga këndvështrimi makroekonomik, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi. Në këtë kontekst, politika e kujdesshme monetare e ndjekur gjatë dy viteve të shkuara, ka rezultuar e suksesshme. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka mundësuar një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, si dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin. Gjithashtu, kujdesi që kemi treguar në reagimin e politikës monetare, ka ruajtur një ambient akomodues financiar. Për pasojë, tregjet financiare vijojnë të jenë të qeta. Ato karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, prime të ulëta rreziku dhe një ofertë e mirë kredie, si në aspektin e kostove të kreditimit ashtu edhe në përqasjen e bankave ndaj tij”, theksoi kreu i Bankës së Shqipërisë

Të dhënat tregojnë se kredia për sektorin privat ka vijuar të ketë një ecuri pozitive në tremujorin e dytë. Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rritje, duke regjistruar nivelin 14.6% në muajin qershor. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe —nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë në lekë, në pasqyrim të nivelit të ulët të normave të interesit. Po ashtu, zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë, sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme. – thuhet nga Banka e Shqipërisë.

Zgjerimi  i aktivietit ekonomik parashikohet edhe në vijim.

“ Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë gjashtëmujorit të dytë dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër. Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, ne vlerësojmë se balanca e rreziqeve ndaj këtyre projeksioneve është përgjithësisht neutrale.”

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar në 3%, pasi në mbledhjen e mëparshme ndryshoi për herë të parë kursin në tre vjet, duke e ulur normën me 0.25 pikë përqindje.