Putin shpall gjendjen e jashtëzakonëshme (Foto RTSH)
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në rajonin Voronezh të Rusisë pasi një sulm me drona kamikazë shkaktoi një zjarr të madh në një magazinë municionesh, njofton RTSH.
Sipas medies ndërkombëtare pati disa shpërthime dhe flakë të mëdha për orë të tëra pas goditjes në Ostrogozhsk gjatë natës.
Të paktën 200 persona u evakuuan dhe dy persona u plagosën, njëri në gjendje të rëndë. Guvernatori rajonal Aleksandr Gusev pranoi se kishte një "shpërthim të objekteve shpërthyese" dhe pohoi se zjarri erdhi nga mbeturinat që binin nga një dron.
Ndërkohë kanalet ruse konfirmuan se një depo municioni ishte goditur. Forcat ukrainase janë të angazhuara në një fushatë afatgjatë të sulmeve me dronë që synojnë të dëmtojnë infrastrukturën ushtarake të Rusisë dhe industrinë e naftës.
Në fillim të kësaj jave, dronët goditën furnizimet me municion në aeroportin ushtarak Marinovka në rajonin e Volgogradit. Zjarrfikësit rusë në rajonin jugor të Rostovit po përpiqen të shuajnë një zjarr në depon e naftës në Proletarsk të nisur nga një dron ukrainas gjashtë ditë më parë. Objekti përdoret për furnizimin me naftë për automjetet ushtarake të Rusisë.
“Zjarri është përhapur në ndërtesa banimi”, tha Ministria Ruse e Situatave Emergjente.
Dhjetëra zjarrfikës janë lënduar nga flakët dhe banorët në rajonin e Rostovit janë ankuar për tymra të dëmshëm. Sulmet me dron vijnë disa javë pasi Ukraina bëri një inkursion të papritur në rajonin rus të Kurst. (Fatosi)