Investime në rrugë (Foto RTSH)
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se mbi një miliardë euro janë parashikuar për ndërtimin e tre akseve të rëndësishme rrugore, njofton rtsh.al.
Bëhet fjalë për segmentet Milot-Balldren dhe Kashar-Pezë-Lekaj dhe Lekaj - Fier.
Për tre akset ku janë shpallur fituesit e koncesioneve, vlera e investimit është mbi një miliardë euro. Në vitin 2024 janë programuar të investohen 135 miliardë lekë (1,3 miliardë euro), niveli më i lartë historik që nga viti 1990.
Nga viti 2020 deri më 2024, zëri i investimeve buxhetore ka arritur në 590 miliardë lekë, ose rreth 5,9 miliardë euro.
Nga viti 2014 në vitin 2024, qeveria ka injektuar në ekonomi mbi 1 triliard lekë, gati 10 miliardë euro, në formën e investimeve publike buxhetore, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.(Fatosi)