Fjala kyçe: 稳定---[wěn dìng]---stabilizoj
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, do të vizitojë Kinën nga 27 deri më 29 gusht me ftesë të kryediplomatit kinez Wang Yi, në një kohë të cilën Kina e quan si "moment kritik" për të stabilizuar marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Kjo do të jetë vizita e parë në Kinë nga një këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan pas tetë vjetësh.
Takimi midis kryediplomatit kinez Wang Yi dhe këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të ShBA-së Jake Sullivan, në janar 2024 në Bankok / foto nga CFP
Pekini e ka quajtur vizitën e ardhshme "një hap të rëndësishëm" për të zbatuar mirëkuptimin që presidentët e të dy vendeve arritën në takimin e tyre në San-Francisko.
"Pas San-Franciskos, ekipet diplomatike, financiare, ligjzbatuese e klimatike dhe ushtritë e të dy palëve kanë ruajtur komunikimin, ndërsa shkëmbimet ndërmjet të dy popujve janë rritur. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të frenojnë e të shtypin Kinën," theksohet në deklaratën zyrtare të publikuar në rrjetin social nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.
"Në këtë sfond, Wang Yi do të ketë një shkëmbim të thellë pikëpamjesh me Sullivan-in mbi marrëdhëniet kino-amerikane, çështjet e ndjeshme dhe pikat e nxehta kryesore ndërkombëtare e rajonale," thuhet në deklaratë.
Çështja e Tajvanit mbetet 'vija e parë e kuqe'
"Çështja e Tajvanit është vija e parë e kuqe e pashkelshme në marrëdhëniet kino-amerikane," thuhet në deklaratë.
Kina theksoi gjithashtu qëndrimin e saj të vendosur mbi ishullin, duke e quajtur "pavarësinë e Tajvanit" rrezikun më të madh për paqen dhe qëndrueshmërinë në ngushticën e Tajvanit.
Në deklaratë, Pekini i kërkon Uashingtonit t'u përmbahet parimit të "një Kine" e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane dhe të mbajë premtimin për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit", duke shprehur shpresën se ShBA-ja do të punojë në të njëjtin drejtim me Kinën dhe do të marrë më shumë masa për të lehtësuar fluksin e njerëzve ndërmjet dy vendeve.
Selia e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës në Pekin / foto nga CFP
Në deklaratë, Pekini përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij mbi çështjen e Lindjes së Mesme, duke u angazhuar për "nxitjen e paqes e të drejtësisë dhe për mbështetjen e të gjitha palëve në ruajtjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme, veçanërisht sa i përket rivendosjes së të drejtave të ligjshme kombëtare të Palestinës."
Pekini deklaroi se përparësia e menjëhershme është që të gjitha palët në konflikt të zbatojnë seriozisht rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit dhe të krijojnë kushtet për të arritur sa më parë një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Gazë, duke shpresuar se ShBA-ja do të mbajë "një pozicion të përgjegjshëm."
Duke folur për qëndrimin e vet mbi Ukrainën, Kina tha se do të vazhdojë të nxisë bisedimet e paqes, të punojë për zgjidhjen politike e të kryejë diplomacinë e ndërmjetësimit, duke e paralajmëruar ShBA-në për "shpërdorimin e sanksioneve të njëanshme dhe shtrirjen e tepruar të juridiksionit jashtë vendit".
Kinezët në ShBA mirëpritën ardhjen e presidnetit kinez Xi Jinping në San Francisko, për pjesëmarrjen në samitin e APEC-ut, më 14 nëntor 2023 / foto nga CFP
Pekini theksoi gjithashtu vendosmërinë e vet të palëkundur për "zhvillimin paqësor dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta."
"Kina ka besuar gjithmonë që konkurrenca ndërmjet vendeve të mëdha nuk është zgjidhja e problemeve përpara të cilave ndodhen Shtetet e Bashkuara apo bota," vihet në dukje në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, duke shtuar se pala kineze do të mbrojë sistemin ndërkombëtar dhe rendin ndërkombëtar me OKB-në në qendër.
"Kina nuk ndjek rrugën e vjetër të vendeve perëndimore me kolonizim e plaçkitje, apo rrugën e gabuar të synimit të hegjemonisë me forcë, dhe as nuk kërkon të eksportojë ideologjinë e saj," theksohet në deklaratë. (Wang Lei/ Artan)