Shqipëria jep rreth 21 mijë me leje qëndrimi për të huajt
2024-08-26 14:34:46

Leje qëndrimi në Shqipëri (Foto Java news)

Në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21,460 banorë, duke shënuar një rritje me 18.2%, krahasuar me një vit më parë, njofton RTSH.

Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2023 ka shënuar rekord të numrit të të huajve me leje qëndrimi.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri vetëm në vitin 2023 ishte 12,430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22.7%, krahasuar me vitin 2022.

Aplikimet sipas vendit të origjinës,  nga Kosova dhe Italia përbëjnë 28.5% të aplikimeve gjithsej në 2023. Më pas vijnë Turqia, Bangladeshi dhe Egjipti.

Në total, të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve rezidentë në Shqipëri në vitin 2023, respektivisht me 3,712, 3,375 dhe 1,693 banorë.

Në vitin 2023 të huajt me leje qëndrimi për arsye punësimi zënë 48.3% të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 22.2%, arsyet të tjera me 13.3%, arsyet për qëllime humanitare me 12.4% dhe arsyet për studime me 3.7%.

Të huajt e parregullt të evidentuar në territorin e Shqipërisë ose në kufi, pa dokumentacionin e nevojshëm, rezultojnë 6,630 persona në 2023, duke shënuar rënie, krahasuar me një vit më parë. Viti 2020 regjistron numrin më të lartë të personave të parregullt në tetë vitet e fundit. (Fatosi)