foto nga Konica
Kërkimet kanë treguar se plazhi me ujin më blu në botë gjendet në Europë dhe përkatësisht në Shqipëri. Një artikull është botuar së fundmi në revistën e specializuar për turizmin, në të cilin ju jepet informacion njerëzve se ku të gjejnë ujin më blu.
Sipas artikullit, grupi CV Villas analizoi rreth 200 plazhe përreth botës, duke përdorur kodin RGB të ngjyrës dhe duke e kryqëzuar atë me kodin që emërtohet me inicialet YInMn Blue dhe që simbolizon ngjyrën blu më e thellë që ekziston. Kodet e kësaj nuance u zbulua në vitin 2009, nga shkencëtarët e Oregon State University në SHBA.
Foto nga ATSH
Hulumtimi nxorri se plazhi “Pasqyra” në jugun e Shqipërisë është plazhi me ujin më blu në botë. Revista thotë se plazhi “Pasqyra” është vetëm 12.4 pikë (ose gradacione) larg nuancës YInMn Blue, çka e vendos atë të parin në listë, ndjekur nga Plazhi i Gjatë (Paralia Mpouka) në Greqi, që ndodhet në vendin e dytë me 13.6 pikë larg YInMn Blue, e pastaj Kassiopi po në Greqi në vendin e tretë dhe Plage de la Vernette në Francë e Plazhi Kaputaş në Turqi përmbyllin pesëshen e më të mirëve.
“Morali i kësaj historie”, përfundon revista, “është se nëse dëshironi të shihni disa ujëra vërtet të kaltër, rezervoni sa më parë një fluturim për në Shqipëri dhe në Greqi”.
Ndër 30 plazhet e renditura si më të mirat për nuancën blu, 26 ndodhen në Evropë, me Greqinë që kryeson me shtatë plazhe në listë. Veçanërisht, Paralia Mpouka në Peloponez dhe Kassiopi në Korfuz renditen respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Por në krye të listës renditet plazhi i pasqyrave në Ksamil.
Foto nga ATSH
Dominimi evropian në këtë listë mund të jetë një surprizë për shumë njerëz, duke treguar se Kontinenti i Vjetër është shtëpia e disa prej ujërave më të pastra dhe magjepsëse në botë. Kjo njohje mund të ndikojë ndjeshëm në turizmin në rajon, duke tërhequr udhëtarët që kërkojnë destinacione mahnitëse bregdetare.
Joshja e këtyre plazheve qëndron jo vetëm në ngjyrën e ujërave të tyre, por edhe në peizazhet përreth, kulturën lokale dhe eksperiencat unike që u ofrojnë vizitorëve. Mundësia për të eksploruar plazhe të tilla magjepsëse dhe piktoreske mund të jetë një tërheqje e parezistueshme për shumë turistë që kërkojnë aventura dhe relaksim.
Sa i takon “Plazhit të Pasqyrave”, ai ndodhet midis Sarandës dhe Ksamilit, është një plazh me rërë, shumë i frekuentuar nga të rinjtë. Është plazh me det të pastër dhe me një bukuri të rrallë.
Foto nga ATSH
Plazhi ka marrë emrin “Plazhi i Pasqyrave”, nga iluzioni që krijohet duke parë reflektimin e diellit mbi ujin e pastër të detit, duke i dhënë atij një efekt magjik, njësoj si të ishte një pasqyrë. Plazhi ka një peizazh të mrekullueshëm, i formuar si një gji i izoluar nga formacione shkëmbore të rrethuara me gjelbërim. Bregu është me guralecë të bardhë, ujin bruz të pastër. Aty pushuesit mund të gjejnë çdo shërbim me qera si: shezllonë, çadra, varka me pedale etj. Në plazh shkohet me çdo lloj automjeti, sigurisht mund të merret edhe autobusin që kalon çdo orë midis Sarandës dhe Butrintit.
“Plazhi i Pasqyrave” është vendi ideal për të shijuar qetësinë dhe detin në relaks të plotë. Aty gjendet edhe një restorant që ofron prodhimet e detit, karakteristikë e zonës. Në sezonin e verës, plazhi pasqyrave mbetet një ndër më të frekuentuarit, nga turistë vendas e të huaj.
Turizmi është shndërruar në sektorin kryesor të ekonomisë. Turistët e huaj kanë nisur të vërshojnë që në janar. Statistikat tregojnë se vendi u vizitua nga 6.3 milionë të huaj në periudhën janar-korrik, nga 5.1 milionë të huaj që e vizituan atë në të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Përgatiti: N. Kraja