Transporti i mbetjeve (Foto ATSH)
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit reaguan të shtunën me një deklarate të përbashkët për shtyp në lidhje me rastet e dyshuara të transportit të parregullt drejt Tajlandës dhe Kinës të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga proceset teknologjike në Shqipëri dhe Kosovë, shkruan ATSH.
Në deklaratë nënvizohet se, janë pikërisht aktet rregullatore mjedisore dhe doganore ato që përcaktojnë qartë se cilat janë mallrat që kërkojnë autorizime të posaçme për t’u eksportuar.
“Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku kanë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, thuhet në deklaratë.
“Faktet tregojnë se ngarkesa të tilla janë pranuar rregullisht nga vendet tranzit dhe nga vendet e destinacionit fundor. Më konkretisht rezulton se së fundmi 360 njësi kontejnerike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore kineze vetëm në 10 muajt e fundit”, vijon deklarata.
Deklarata thekson se Shqipëria nuk mundet të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.
Deklarata e përbashkët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, vlerëson se e vërteta është e bazuar mbi ligje kombëtare e ndërkombëtare dhe fakte reale, ndërsa të tjerat janë konsum toksik i tregut politik e mediatik. (Fatosi)