Themeluesi i Telegram Durov (Foto Gazeta Si)
Pavel Durov, miliarderi bashkëthemelues dhe shefi ekzekutiv i aplikacionit të mesazheve Telegram, u arrestua në aeroportin Bourget jashtë Parisit të shtunën në mbrëmje, njofton panorama.al.
Durov po udhëtonte në avionin e tij privat, ndërsa ishte shënjestruar nga një urdhër arresti në Francë. 39-vjeçari mësohet se po udhëtonte nga Azerbajxhani dhe u arrestua rreth orës 20:00 me orën lokale.
Sipërmarrësi me origjinë ruse jeton në Dubai, ku është vendosur Telegram, dhe ka shtetësi të dyfishtë të Francës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Durov, i cili vlerësohet nga Forbes të ketë një pasuri prej 15.5 miliardë dollarësh, u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat për mbylljen e komuniteteve të opozitës në platformën e tij të mediave sociale VK, të cilën ai e shiti.
Mësohet se Ambasada e Rusisë në Francë po ndërmerr “hapa të menjëhershëm” për të sqaruar situatën. Duke cituar një përfaqësues nga ambasada ruse në Francë, TASS raportoi se nuk kishte pasur asnjë apel nga ekipi i Durovit në ambasadë, por se po ndërmerrte hapa “të menjëhershëm” në mënyrë proaktive.
Durov dhe vëllai i tij Nikolai themeluan aplikacionin e mesazheve në vitin 2013 dhe ka rreth 900 milionë përdorues aktivë. (Fatosi)