Nis testimi i vaksinës së parë në botë mRNA kundër kancerit të mushkërive
2024-08-26 17:52:17

foto nga CFP

foto nga CFP

Mjekët kanë nisur provën e vaksinës së parë mRNA në botë kundër kancerit të mushkërive në shtatë vende,  në një përpjekje novatore që mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit, njofton ATSH.

Vaksina, e njohur si BNT116 dhe e zhvilluar nga BioNTech, është krijuar për të synuar kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla (NSCLC), lloji më i zakonshëm i kancerit të mushkërive.

Ajo synon të eliminojë qelizat e kancerit dhe të parandalojë përsëritjen e tyre duke trajnuar sistemin imunitar për të njohur dhe sulmuar markerët e tumorit specifik për NSCLC.

Testimi, që zhvillohet në Britani, SHBA, Gjermani, Spanjë dhe Turqia, ndër të tjera, konsiderohet si një hap i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të mushkërive. Prova klinike e fazës 1 po kryhet në 34 lokacione kërkimore duke shënuar një moment historik kritik në studim.

Rreth 130 pacientë me stade të ndryshme të kancerit të mushkërive, nga faza e hershme në të avancuar ose të përsëritur, do të marrin pjesë në provë, duke marrë vaksinën së bashku me imunoterapinë. Ekspertët,  e shohin këtë provë si fillimin e një “epoke të re shumë emocionuese” në kërkimet mbi kancerin.

Kanceri i mushkërive mbetet shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën, përgjegjës për rreth 1,8 milion vdekje në vit, me norma veçanërisht të ulëta të mbijetesës te rastet e avancuara. (Fatosi)