Luan Durmishi, së shpejti me album dhe koncert në Tiranë
2024-08-25 18:29:04

Luan Durmishi është tenor dhe këngëtar i rrymës pop-alternativ. Ai ka kryer studimet e larta dhe Master për muzikë klasike në Kosovë, si dhe është specializuar në ShBA për vocal-coach. Luani  është solist  në korin profesional të Filharmonisë së Kosovës nga viti 2003, si dhe pedagog në një prej universiteteve private në Kosovë. Ai ka realizuar shumë koncerte solistike. Në festivali e 62-të këngës në Rtsh ka marrë pjesë me një këngë me stil dhe melodi mjaft të veçantë për atë festival të rrymës pop-alternativ. I ftuar në Radio Ejani, ai rrëfen planet që ka për realizimin e albumit të tij të ri shumë dimensional dhe koncertin në Tiranë.

 

Luan Durmishi (Foto personale)

Luan Durmishi (Foto personale)

CMG: Ju sapo keni publikuar videoklipin e ri të këngës "Përsëritja". Sa kohë duhej për videoklipin deri në finalizimin e tij?

Luan Durmishi: Procesi deri në finalizim i videoklipit ka zgjatur rreth shtatë muaj. Nuk është e lehtë që të krijosh art në këtë lloj formati, është shumë e vështirë sa i përket anës teknike, pasi kërkon perfeksion deri në detajin e fundit. Përgjithësisht unë kam dalë i kënaqur sa i përket videoklipit, ka qenë një proces shumë i bukur, sfidues. Përfitoj nga rasti të falendëroj shumë Egzonin që e ka punuar këtë videoklip sipas kërkesave të mia dhe konceptit artistik, por mendoj se në art nuk duhet të jemi tërësisht të kënaqur.

CMG: Si një natyrë shumë kërkuese sa i takon anës profesionale, a jeni plotësisht i kënaqur me produktin final?

Luan Durmishi: Sa më pak të kënaqur të jemi në art, produkti final del më me kualitet dhe me standarde të larta. Unë si natyrë shumë kërkuese dhe me karakter profesionist, e kam problem që të ndahem plotësisht i kënaqur. Ajo që është e rëndësishme, në art duhet gjithmonë të tregojmë të vërtetën tonë, identetin tonë artistik, origjinalitetin, sepse vetëm kështu mendoj se suksesi është i garantuar.

CMG: Një këngë që ka elemente të rrymës pop -alternative dhe asaj elektronike, i shkojnë shumë për shtat edhe elementet e krijuara në videoklip. Na tregoni  më shumë detaje rreth saj

Luan Durmishi: Zhanri i muzikës që unë realizoj bashkë me producentin tim Tomorr Kuqi, i cili është edhe producenti i këngës "Përsëritja" , është një rrymë që mund ta përkufizoj si pop-alternativ, elemente të muzikës klasike dhe elektronike. Kur kam filluar bashkëpunimin me Tomorrin, kërkesat kanë qenë të tilla si rezultat i shijeve dhe rritjes time artistike, që nga fëmijëria dhe deri këtu ku jam sot. Besoj se ka dalë një këngë që tregon gjithë eksperiencën time artistike, shijet e mia, identitetin tim artistik, duke ja bashkangjitur edhe pjesën vizuale. Gjithmonë sipas konceptit performues që kam patur në Fest '62 të RTSh-së. Për publikun mund të them se, ajo çfarë shihet në videoklip, është një ndërthurrje konceptuale sa i përket performancës dhe pjesës vizive, konceptualisht në linja të njëjta të identitetit tim artistik.

CMG: "Përsëritja" ka qenë konkurrente në Festivalin e 62-të të këngës në Rtsh, aty ku bëri shumë zhurmë, si një risi kjo rrymë e veçantë për atë festival. Si ishte për ju kjo pjesëmarrje?

Luan Durmishi: Nuk doja të flisja shumë për festivalin, por ajo çfarë më ka sjellë ky festival është se kam marrë jashtëzakonisht shumë kritika pozitive, sa i takon këngës, kam marrë komente nga fansa në të gjithë botën, me një pjesë të cilëve ende mbaj kontakte. Kjo ka qenë e bukura e performancës time në atë festival.

CMG: Jo vetëm këngëtar, por edhe bashkëautor i tekstit. Çfarë keni dashur të shprehni nëpërmjet fabulës së këngës "Përsëritja"?

Luan Durmishi: Është e vërtetë që në këngën "Përsëritja" unë jam bashkëautor i tekstit, pjesën më të madhe e kam shkruar unë, ndërsa frazën "Përsëritja është nëna e dijes", e ka bërë Tomorr Kuqi. Ka bërë edhe disa ndërhyrje si producent bashkë me Drenin edhe në muzikë, ndërsa sa i përket konceptit më të detajizuar të  këngës "Përsëritja" në frazat latine. I gjithë krijimi sillet rreth përsëritjes si akt patern i sigurit në komunikim dhe veprim. Në matriksin e tingujve, harqeve, bitit, zërave, gjejmë zhurmë të evoluimit kulturor e shoqëror, të cilat ngrenë  kredon e vet brenda gridit historik. Ndërsa në aspektin performues, rekuizita si një kub, objekt i një kulti si një sinonim i perfeksionit në modernizëm, si një kënd rrëfimi dhe  thirrje për reflektim përmes lëvizjeve të kufizuar dhe të kuruara në detajin e fundit. Ndërsa përsëritja në vetvete në vazhdimësi e perfeksionon servilitetin, trushpëlarjen përmes ritualeve të bashkërenduara nga njeriu dhe inteligjenca artificiale si një manifest social dhe politik i kësaj kohe dhe i një tjetre pas kësaj. Ky është koncepti i përsëritjes që kam dashur të shpreh unë në këtë projekt.

Luan Durmishi (Foto  personale)

Luan Durmishi (Foto  personale)

CMG: Si tenor jeni një emër i njohur i muzikës klasike, prej vitesh solist i Filharmonisë së Kosovës. Si ka qenë për ju, ky rrugëtim artistik gjatë këtyre 25 viteve karriere? Sa vend zë tek ju muzika klasike dhe ajo pop-alternativ?

Luan Durmishi: Rrugëtimi im 25 apo 30 vjeçar bashkë me studimet ka qenë jashtëzakonisht i bukur, jashtëzakonisht sfidues. Unë mendoj se më ka përmbushur artistikisht, për vetë faktin se, nuk dua të tingëlloj jo modest, por mund të them se jam tenori i vetëm, dhe i rrallë, që kam qenë jashtëzakonisht i hapur, kam bashkëpunuar edhe profile të tjera të artit, si në artin figurativ, teatrin modern, minimalist, me artistë të artit bashkëkohor dhe gjithë kjo gamë e gjerë e bashkëpunimeve me profile të tjera të artit më ka pasuruar shumë, tani që e shoh që këtë muzikë po e bëjmë së bashku me producentët e mi.

Unë edhe shkruaj muzikë dhe tekste, kjo gjë më ka pasuruar shumë dhe rezultati final po del që të jetë ky, ajo çfarë keni dëgjuar dhe çfarë do të dëgjoni tani e tutje nga krijimtaria ime artistike. Kështu që ky 25 vjeçar ka qenë shumë i bukur. Të jesh artist është të kesh edhe një jetë paralele private, gjë që e bën shumë të begatë e të bukur jetën tënde, nëse dëshiron që ta pasurosh.

CMG: Ju keni realizuar koncerte brenda dhe jashtë vendit. Cili është koncerti që ka lënë më shumë gjurmë në jetën tuaj?

Luan Durmishi: Gjithmonë e kam thënë dhe e them që arti është një terapi shumë e rëndësishme dhe shumë e bukur për jetën e njeriut. 25 vite shumë të bukura, kam realizuar shumë koncerte gjatë këtyre 25 viteve dhe jashtë vendlindjes, në Evropë dhe në Amerikë. Kam patur shumë projekte që do të mbesin deri në fund të jetës time, në memorien time do të mbesin shumë të pastërta. Është e vështirë që t’i veçoj se cila ka qenë më shumë e rëndësishme, gjithsesi tre prej këtyre projekteve të rëndësishme për karrierën time artistike do t’i bëj publike. Është një projekt që kam pasur në vitin 2008 në teatër, shumë i thellë artistikisht që ka përfaqësuar Kosovën bashkë me Ukrainën dhe Austrinë. Ka qenë dhe një projekt tjetër që ja kam dedikuar mamit tim, të cilin e titullova "Nënë”, një projekti i cili ka qenë shumë emocional, sepse t’i dedikosh një koncert prindit, personit më të dashur në botë, nuk ka më bukur dhe më sfiduese se nënat nuk meritojnë vetëm një koncert, por meritojnë shumë më shumë.

Luan Durmishi (Foto  personale)

Luan Durmishi (Foto  personale)

CMG: Ju keni kohë që keni nisur punën për albumin "Uniform". Si është ecuria?

Luan Durmishi: Planet e mia janë albumi "Uniform" jam në përfundim të tij. Për publikun që nuk ka informacion dhe nuk më ka ndjekur në intervistat që kam pasur deri tani, ju informoj se koncerti dhe albumi do të promovohen në Tiranë. Është një projekt jashtëzakonisht sfidues, por edhe i bukur për mua. Në këtë projekt artistik të titulluar "Uniform", që janë albumi dhe  koncerti, përmblidhen të gjitha eksperiencat e mia artistike që nga fëmijëria, të këtyre 25 viteve eksperiencë, pasion, dashuri për këtë profesion shumë të bukur dhe human.

 I ftoj të gjithë dashamirësit e artit tim që në momentin që të publikohet edhe data e koncertit, të jenë pjesëmarrës dhe së bashku t’i ndajmë eksperiencat e mia personale. Albumi "Uniform" është multidimensional, është shumë konceptual. Secila këngë ka një rrëfim në vete, ka histori, dedikime, e shumë e shumë të tjera, që mos i publikoj të gjitha detajet.

CMG: Faleminderit për intervistën! Suksese në vazhdim!

Luan Durmishi: Shumë faleminderit për intervistën dhe mirupafshim në Tiranën e bukur, në Tiranën time.

Intervistoi: Sava Lena