Ministri Hoxha takon ambasadorët e Japonisë dhe Holandës, diskuton për bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë
2024-08-25 12:09:23


Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, priti ambasadoren e Japonisë, Kikuko Kato, dhe atë të Holandës, Reinout Vos, me të cilët bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mundësive për shtrirjen dhe zgjerimin e tyre, shkruan “ATSH”.

Në takimet e zhvilluara me dy diplomatët është vlerësuar niveli i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve miqësore e tradicionale mes vendeve, thuhet në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Brendshme.

Pas takimit me ambasadorin holandez, ministri Hoxha ndau vlerësimin mbi trendin pozitiv të marrëdhënieve politike dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe përforcuar shkëmbimet dypalëshe. Në takim u rikonfirmua angazhimi operacional proaktiv në përballje me kërcënimet e sigurisë.

Në lidhje me takimin me ambasadoren e Japonisë, ministri vuri në dukje se u diskutua mbi mbështetjen e dhënë për projekte të ndryshme, që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme, si kontribute të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve për strukturat e varësisë. (Irma)