Shqipëri-Slloveni, nënshkruhet marrëveshja në fushën e bujqësisë
2024-08-25 14:02:56

 

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

Ministrja shqiptare e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë vizitës në Slloveni, u takua me homologen Mateja Calusi, me të cilën dhe firmosi një marrëveshje bashkëpunimi, e para e këtij lloji në fushën e zhvillimit të bujqësisë, shkruan “ATSH”.

Ministret Denaj dhe Calusi vlerësuan ecurinë e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e tyre në fushën e bujqësisë.

Ministrja Denaj theksoi se marrëveshja e arritur synon një intensifikim edhe më të lartë të mbështetjes me ekspertizë, që vendi ynë do të marrë nga Sllovenia, duke marrë parasysh edhe momentin në të cilin, vendi ndodhet, atë të përafrimit të legjislacionit, përgatitjes së bizneseve shqiptare drejt tregjeve të BE-së.

“Sllovenia ka pothuajse të njëjtat problematika si Shqipëria në raport me fragmentizimin, me sipërfaqet e vogla e tokës, problemet e bashkimit, por megjithatë ia kanë dalë ndër vite të rrisë sipërfaqe, sepse është e vetmja mundësi për të rritur shkallën, shtuar automatizim, ulur kostot dhe realizuar cilësinë. Besoj se është një model suksesi për ta marrë dhe ne në sfidat tona të zhvillimit të bujqësisë”,- deklaroi ministrja Denaj. (Irma)