OKB kërkon nga Britania e Madhe të frenojë gjuhën e urrejtjes raciste
2024-08-25 16:53:14

foto: VCG

foto: VCG

 OKB-ja i ka kërkuar Britanisë së Madhe që të ndërmarrë veprime për të frenuar gjuhën e urrejtjes raciste, përfshirë politikanët, shkruan “ATSH”.

Kërkesa vë në dukje vazhdimësinë e gjuhës së urrejtjes të publikuar në mediet kryesore, në internet dhe të përhapur nga politikanët dhe figurat publike.

Raporti nuk veçoi politikanë apo raste të veçanta, por u kërkoi autoriteteve që të refuzojnë zyrtarisht dhe publikisht dhe të dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe shpërndarjen e ideve raciste.

OKB-ja bëri të ditur se ishte veçanërisht e shqetësuar për aktet raciste dhe dhunën nga grupet e ekstremit të djathtë dhe supremaciste të bardhë, të tilla si gjatë trazirave të fundit në Angli dhe Irlandën e Veriut, të nxitura nga dezinformatat dhe ndjenjat kundër emigrantëve.

Rekomandimet e OKB-së erdhën nga rishikimi i saj katërvjeçar i të dhënave të Mbretërisë së Bashkuar për trajtimin e diskriminimit racor, një kërkesë për vendet nënshkruese të konventave ndërkombëtare.

Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar të trajtojë profilizimin e supozuar racor nga policia dhe diskriminimin në drejtësinë penale, strehimin, shkollat dhe kujdesin shëndetësor.

Ai tha gjithashtu se ishte veçanërisht i shqetësuar nga këmbëngulja dhe në disa raste rritja e madhe e krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në Britani.

Të paktën 466 persona janë akuzuar për krime që lidhen me trazirat, disa prej të cilave synonin xhamitë dhe hotelet që strehonin azilkërkuesit. (Irma)