foto: VCG
Izraeli ndërmori një varg sulmesh ajrore intensive në jug të Libanit të dielën në mëngjes, duke e cilësuar këtë si një goditje parandaluese kundër grupit militant “Hezbollah”, një veprim që mund të shkaktojë një luftë më të gjerë rajonale dhe të minojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gazë, sipas një raporti të AP-së.
Ushtria izraelite deklaroi se “Hezbollahu” po planifikonte të lëshonte një breshëri të madhe raketash dhe predhash drejt Izraelit. Ky grup, i mbështetur nga Irani, kishte premtuar të hakmerrej për vrasjen e një komandanti të lartë nga Izraeli në fund të muajit të kaluar.
foto: VCG
Sirena sulmesh ajrore u raportuan në të gjithë Veriun e Izraelit, dhe aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” filloi të devijojë fluturimet hyrëse dhe të shtynte nisjet. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant shpalli të dielën një gjendje emergjente kombëtare 48-orëshe.
Më pas, “Hezbollahu” njoftoi se kishte kryer një sulm ndaj Izraelit me një "numër të madh dronësh" si përgjigje fillestare ndaj vrasjes së Fouad Shukurit, një komandant i lartë i grupit, gjatë një sulmi në periferitë jugore të Bejrutit muajin e kaluar, thuhet në raportin e AP-së.
“Hezbollahu” deklaroi se sulmi kishte në shënjestër një "objektiv ushtarak izraelit cilësor që do të shpallet më vonë" dhe "një numër vendesh e kazermash të armikut dhe platforma të Kupolës së Hekurt."
Sulmi ndodhi ndërkohë që në Egjipt po zhvillohet një raund i ri bisedimesh për t'i dhënë fund luftës së Izraelit kundër “Hamasit”, që tani ka hyrë në muajin e 11-të. “Hezbollahu” ka deklaruar që do t’i ndalojë luftimet nëse arrihet një armëpushim. (Li Huailiang/Artan)