Rrëfimi i Iden Petraj, "Kryebashkiakja e Biçikletave"
2024-08-24 18:25:03

Tirana është qyteti ku unë jetoj. Është vendi ku unë jam rritur, është qyteti që më ka dhënë shumë dhe i kam dhënë shumë. Është çdo histori e jetës sime. Është vendi që mua më ka formuar dhe e dua shumë Tiranën. Biçikleta ka qenë gjithmonë një element shumë i rëndësishëm i jetës sime. Jam ndjerë gjithmonë njeri i lirë dhe jam munduar që ta shpreh këtë, por vetëm me anë të biçikletës unë e kam shprehur.

Biçikleta më ka bërë të ndihem më afër komunitetit, më afër qytetarëve të Tiranës. Kam folur me ta nëpër korsitë e biçikletave të Tiranës, kam njohur njerëz të rinj, kam dëgjuar histori të reja dhe biçikleta më ka bërë që ta dua qytetin tim akoma më shumë sepse duke i dhënë biçikletës unë kam investuar për një qytet më të gjelbër dhe gjithashtu kam shprehur edhe lirinë time.

E shoh pak a shumë biçikletën si një fat timin duke qenë se rreth moshës shtatë vjeçare kam marë pjesë në një kompeticion që është zhvilluar në Tiranë dhe çmimi më i madh ishte biçikleta, por aty kishte shumë fëmijë nga i gjithë qyteti, ishim rreth dyqind ose treqind fëmijë dhe çmimin më të madh e fitova unë. Pra fitova një biçikletë në moshën shtatë vjeçare. Pas saj kam blerë biçikletën time të parë në moshën katërmbëdhjetë vjeç me kursimet që kisha mbledhur në takimet familjare, kur na japin ndonjë gjë të vogël dhe kështu munda  të blija biçikletën time. Atë biçikletë e mbajta për shumë vite madje me  të kam realizuar edhe garën e parë dhe që prej asaj kohe numëroj rreth shtatë biçikleta në shtëpinë time. I dashuroj shumë dhe i kam nga të gjitha llojet dhe që nga mosha katërmbëdhjetë vjeçare unë kam pedaluar Tiranën dhe asnjëherë nuk ndalova.

Të jesh “Kryebashkiake e biçikletave” është një titull honorifik, kjo për shkak të eksperiencës sime si vullnetare në organizimin e aktiviteteve me biçikleta prej pesëmbëdhjetë vitesh tashmë. Kryebashkiake e biçikletave do të thotë të jesh zëri i çiklistëve të Tiranës, të ndihmosh komunitetin që të zhvillohet dhe të ndihmosh në përmirësimin e situatës së çiklizmit në qytet. Unë bashkëpunoj me organizata të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare dhe gjithashtu edhe institucione dhe këdo që ka dëshirë për të përmirësuar përdorimin e biçikletës në Tiranë. Mundohemi që të bëjmë më të mirën, mundohemi që të propozojmë përmirësime që mund t’i ndodhin qytetit jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe në realizimin e aktiviteteve të ndryshme që përfshijnë çdo grupmoshë: duke filluar nga fëmijët, nga të rinjtë e duke vazhduar më tej edhe tek grupmoshat e tjera.

Ne kemi organizuar shumë aktivitete deri tani, jo vetëm pedalime me biçikleta, të cilat i organizojmë çdo muaj, ku çdo qytetar është i ftuar. Pra në këto pedalime kemi edhe fëmijë, kemi edhe institucionet që janë pjesëmarrëse për të siguruar që pedalimi të shkojë mirë gjithashtu kemi edhe aktivitete të tjera si: Festivali i biçikletave, kemi organizuar Konferencën e parë të çiklizmit në periudhën e majit, ku morën pjesë edhe shumë ekspertë të huaj dhe aktivitete të tjera si ëorkshope, takime me çiklistët e Tiranës, piknik, eksplorime të natyrës së Tiranës etj etj.

Festivali i biçikletave nisi para katër vitesh. Ne e organizuam këtë vit për herën e katërt në datën 3 qershor, që është Dita Boterore e Biçikletave. Në çdo qytet europian organizohet diçka në lidhje me këtë ditë dhe mendova përse mos të kemi edhe ne një festë çiklistësh, ku të gjithë çiklistët të mblidhen dhe të gëzojmë për çdo aktivitet e çdo sukses që kemi patur gjatë vitit të kaluar. Do të vazhdojmë ta organizojmë, tashmë është bërë një festë e përvitshme dhe gjatë këtij festivali ka aktivitete të ndryshme dhe përfshihen të gjitha natyrat e përdorimit të biçikletës, duke përfshirë këtu mountin bike, city bike, janë fëmijët me sigurinë rrugore, janë edhe dyqanet e biçikletave të cilat ofrojnë ulje dhe dhurata të ndryshme për të nderuar Ditën Ndërkombëtare të Biçikletës.

Tirana ka punuar shumë për të përmirësuar situatën e përdorimit të biçikletës në qytet. Jo vetëm duke shtuar infrostrukturën, tashmë numërojmë 58-të kilometra korsi biçikletash dhe do të ndërtohet deri në 94 km korsi biçikletash. Gjithashtu janë shtuar parkingjet të sigurta të shpërndara nëpër rrugët e kryeqytetit dhe do të vijojmë më tej duke rritur sigurinë nëpër kryqëzimet e Tiranës. Janë ndërtuar dy shkolla biçikletash njëra tek Liqeni Artificial, që është më e vogël ku deri tani janë trajnuar dy mijë fëmijë dhe u hap edhe shkolla e dytë e biçikletave që është më në qendër të qytetit, pranë stadiumit Arena Center. Edhe aty gjatë periudhës së shtatorit do të fillojmë të trajnojmë fëmijët nga shkollat fillore të Tiranës.

Çdo shkollë mund të marrë pjesë në trajnimet tona. Të gjitha trajnimet janë falas dhe janë për grupmoshën nga nëntë deri në dymbëdhjetë vjeç. Gjithashtu ne mbulojmë një numër më të ulët krahasuar me meshkujt çiklistë, pra vajzat dhe gratë çikliste në qytet kanë një numër më të ulët.

Nga 100 përqind që është komuniteti i çiklistëve vajzat dhe gratë çikliste përfaqësojnë një 20-të përqindsh të çiklistëve të qytetit. Prandaj aktivitetet në të ardhmen do të fokusohen më shumë për të zhvilluar çiklizmin tek vajzat dhe gratë dhe duke rritur edhe sigurinë nëpër rrugët e qytetit. Gjithashtu në shkollën e biçikletave gjatë orarit të pasdites do të zhvillohen aktivitete të ndryshme për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk dinë t’i japin biçikletës ose ndoshta nuk ndihen të sigurta ende për të pedaluar në qytet.

Shqipëria e ka patur kulturë biçikletën që më shumë se njëqind vite tashmë dhe mendoj se po shkojmë drejt asaj rruge. Ka ndryshuar pak mendësia e qytetarëve të gjithë Shqipërisë, por edhe të Tiranës kryesisht. Janë shtuar shumë makinat dhe mendoj se duhet të punojmë më shumë në këtë aspekt që biçikletat të shihen si një mjet që lëviz në rrugë dhe rruga ndahet me biçikletën.

Mendoj se qyteti duhet të punojë më shumë në aspektin e rritjes së sigurisë rrugore dhe ndoshta edhe më shumë qytetarë me këto përmirësime do të fillojonë ta përdorin biçikletën dhe në të ardhmen do të shkojmë prap aty ku kemi qenë para njëqind viteve. Qytetarët do të fillojnë ta përdorin biçikletën njësoj si atëhere.

Kam parë një foto të Shkodrës para 80-të viteve përballë një fabrike këpucësh ku kanë qenë të parkuara rreth tre mijë biçikleta. Tani njerëzit ikin në punë me makina, por kam përshtypjen, ndoshta me kaq shumë sa po investohet të paktën në Tiranë për përmirësimin e situatës së çiklizmit, do të shkojmë prap aty. Mua më pëlqen shumë të pedaloj, çdo ditë vetëm me biçikletë shkoj në punë, por ka disa rreziqe me të cilat hasem rrugës, përshembull njerëzit nuk janë edukuar ende për korsitë e biçikletave, ka njerëz që ecin nëpër korsi, ose ka makina që janë të parkuara nëpër korsitë e biçikletave, por ndoshta në të ardhmen do të jetë një situatë më e mirë.

Kemi shumë korsi që janë shumë të mbrojtura e shumë të bukura e të gjelbëruara përshembull është korsia e Bulevardit Zogu i Parë ose krosia e rrugës së Kavajës, që janë edhe korsitë më të përdorura prej çiklistëve. Te këto korsi çdo ditë e më shumë shohim jo vetëm të rinj dhe moshën e tretë që janë duke pedaluar, por jemi duke parë edhe fëmijë. Kjo jo vetëm për shkak të shkollave të biçikletave që ne kemi hapur ku këta fëmijë janë trajnuar. por fëmijët ndihen më të sigurt. Edhe prindërit ndihen më të sigurt duke i lënë fëmijët që të pedalojnë në qytet.

Për mua ka qenë pak sfiduese të punoja me pjesën e çiklizmit në Tiranë, duke qenë se, tashmë ka ndryshuar paksa, ka qenë një periudhë ku njerëzit e shihnin biçikletën si një mjet që e përdornin njerëzit e varfër. Tani nuk është më ashtu sepse shohim edhe biçikleta të shtrenjta nëpër korsitë e Tiranës dhe shohim edhe njerëz që janë në gjëndje për të lëvizur me një makinë, por ja kanë parë hajrin biçikletës dhe kanë filluar të pedalojnë . Mendoj se sa më shumë kohë kalon aq më shumë do të ndryshojë. Unë përshembull kam shumë biçikleta në shtëpi dhe një ditë marr njërën dhe një ditë tjetrën, aq shumë i dua. Edhe shoqëria ime ka ndryshuar, nëse më përpara lëviznin me taksi ose me makinë tani kanë këtë qejfin e të lëvizurit me biçikletë se dukesh më cool.

Një sfidë tjetër ka qenë kur  kemi bashkëpunuar me institucionin e Bashkisë Tiranë për të vendosur më shumë korsi biçikletash nëpër qytet. Ideja është që janë hequr parkimet e makinave dhe është vënë një korsi biçikletash dhe njerëzit nuk kanë qenë shumë të kënaqur të paktën shoferët e makinave me ndërtimin e këtyre korsive. Ka pasur shumë polemika, por komuniteti i çiklistëve eci përpara dhe sot numërojmë dhjetë përqind të popullsisë së Tiranës që përdorin biçikletën në qytet, ndërsa në vitin 2016 ka qenë vetëm tre përqind e popullsisë së Tiranës. Mendoj që në të ardhmen mund të bëhemi edhe tridhjetë përqind përdorues biçikletash në Tiranë. Le të shpresojmë dhe të punojmë fort drejt kësaj.

Nëse do të kisha përballë Idenin trembëdhjetë vjeç nuk do të doja t’i ndryshoja asnjë gjë. Do t’i thoja vazhdo ëndërro dhe dëshiro që të realizosh gjithë këto ndryshime që ke në zemrën tënde dhe do t’ia arrish.