Vera Picari është këngëtare e këngës popullore të Shqipërisë së mesme. Pasioni i saj për të kënduar ka lindur qëkur ishte fëmijë, sepse dhe prindërit e saj këndonin në gëzimet e tyre familjare. Vera prej 30 vitesh jeton në emigracion, 20 vite në Itali dhe 10 vitet e fundit në Londër. Ajo ka publikuar mjaft këngë popullore në kanalin e saj YouTube, disa prej tyre janë këngë të njohura, por dhe krijimtari e re popullore. Vera është e pranishme në Shqipëri dhe diasporë nëpër koncerte dhe festa familjare. Së shpejti ajo do të publikojë një këngë të re për artdashësit e saj. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për pasionin që ka për këngën popullore, aktivitetet dhe projektet në vazhdim.
Vera Picari duke kenduar (Foto personale)
CMG: Prej vitesh lëvron muzikën popullore të Shqipërisë së mesme. Si lindi ky pasion për këngën popullore?
Vera Picari: Pasioni im për këngën popullore ka qenë që fëmijë dhe dëshira ime për të kënduar është dhuratë nga prindërit e mi, që kishin dëshirë gjithmonë të këndonin. Unë e mora këtë traditë nga prindërit dhe këndoja, sepse ishte një ëndërr në sirtar që unë një ditë të bëhesha lkëngëtare. Prindërit e mi këndonin vetëm nëpër gëzimet familjare, ndërsa unë hyra në tregun muzikor pak me vonesë.
CMG: Këndon vetëm këngë të Shqipërisë së mesme, sepse dhe origjina juaj është nga Tirana?
Vera Picari: Unë gjithmonë kam dëgjuar këngë tiranase dhe i kam patur shumë përzemër këngëtaret e mëdha. Dua të qëndroj te këngët e tabanit të Shqipërisë së mesme, pavarësisht se këndoj dhe këngë të trevave të tjera të vendit.
CMG: Prej 30 vitesh jeton në emigracion dhe ndoshta ky largim nga Shqipëria ka ndikuar në shkëputjen nga kënga?
Vera Picari: Unë u largova nga Shqipëria për në Itali. Atje ju përkushtova familjes dhe fëmijëve të mi dhe më në fund erdhi një moment që dikush më dha një hov për të vazhduar me këngën. Sinqerisht që kënga ka qenë ëndrra ime dhe pse e kam nisur vonë, por jap shpirtin kur këndoj. Fansat e mi dhe gjithë njerëzit më pëlqejnë, dhe unë i adhuroj me gjithë zemër, sepse nëse nuk janë ata, unë nuk mund të jem këtu. Plotësoj dëshirën time 100 për qind kur këndoj dhe njerëzit ndjejnë kënaqësi kur këndoj. Jap maksimumin për të kënaqur adhuruesit e mi.
Vera Picari me kengetaren Vera Laci (Foto personale)
CMG: Ke sjellë mjaft këngë të vjetra popullore, por dhe krijimtari të re.
Vera Picari: Dëshira ime është të këndoj këngë të tabanit popullor, të ruajmë traditat tona popullore. Unë kam filluar me këngët e mia të reja, me këngën “Lind e rrit në Tiranë”, ndaj falenderoj Gëzim Mnerin për tekstet, orkestrimet dhe muzikën e këngëvve. E kam filluar me këngën “Lind e rrit në Tiranë” sepse unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, prandaj këndoj tabanin e vjetër popullor. Kam realizuar këngë të reja, por dhe të vjetra të tabanit për të gjithë adhuruesit e këngës sime. Unë jam vetvetja dhe njerëzit për këtë gjë më duan.
CMG: Ke bashkëpunuar vetëm me Gëzim Mnerin për të gjitha këngët?
Vera Picari: Bashkëpunoj me Gëzim Mnerin dhe jam shumë e lumtur që punoj me të. Kam punuar dhe me kompozitorë të tjerë, si Ilir Ballën. Ndërsa tekstin e këngës “Zemrës i besova” e ka shkruar Xhevdet Lala, si dhe Anila Kodra ka bërë tekstin e këngës tjetër “Me kismet, pa kismet”, që është kënga e jetës time. Jam shumë krenare për të gjithë ata që bashkëpunojnë me mua.
Vera Picari (Foto personale)
CMG: Kohët e fundit ke bërë një duet me këngëtaren e njohur dibrane Vera Laçi. Si erdhi ky bashkëpunim?
Vera Picari: Bashkëpunimin e fundit e kam bërë me një këngëtare të madhe të veriut, një person i shkëlqyer si Vera Laçi, jam shumë e lumtur që kam realizuar një duet me të. Kënga titullohet “Bashkohen dy zemra”, dhe ne u bashkuam dy Vera dhe bëmë këtë bashkëpunimin .
CMG: Si u përshtat këngëtarja Vera Laçi me trevën e Shqipërisë së mesme?
Vera Picari: Kënga është me motive të Shqipërisë së mesme, e falenderoj kompozitorin Gëzim Mneri për tekstin, orkestrimin dhe muzikën e këngës. Gjithashtu falenderoj dhe Vera Laçin, sepse u bashkuan dy zëra të mrekullueshëm, kam marrë komplimente që ngjasojmë me zërin me njëra-tjetrën. Jam shumë krenare që kam kënduar me këngëtaren Vera Laçi.
CMG: Ke realizuar duete me këngëtarë të tjerë të këngës popullore, apo vetëm këtë të fundit me Verën?
Vera Picari: Kam pasur dhe një duet tjetër me Ibrahim Lokën, një këngëtar nga Lura e Dibrës. Është një duet shumë i mirë dhe dueti i parë që unë kam bërë.
CMG: Këtë sezon veror ke qenë në Shqipëri, ku ke marrë pjesë në evente dhe gëzimet familjare. Si je ndjerë në gjirin e familjeve shqiptare, në gëzimet e tyre familjare?
Vera Picari: Jam ndjerë si në familjen time, më kanë kërkuar të shkoja në dasëm me kostum popullor. Kjo ka qenë gjëja më e bukur, sepse kthehemi tek traditat tona kur shkonim të merrnim nusen me kostume popullore. Këtë sezon kam patur shumë dasma dhe uroj që vitin tjetër të ketë më shumë.
Kengetarja Vera Picari (Foto personale)
CMG: Kostumin popullor e ke tëndin ?
Vera Picari: Falenderoj parukieren time të shkëlqyer Bruna, e cila ma ka bërë dhuratë kostumin popullor në përvjetorin e ditëlindjes time.
CMG: Si ndjehesh kur vesh kostumin popullor tradicional?
Vera Picari: Sinqerisht ndjehem shumë krenare kur vesh kostumin popullor. E kam veshur dhe në Londër për çdo festë apo koncert. Kur më kanë ftuar në koncert, unë jam prezantuar me kostumin popullor të Shqipërisë së mesme, e kam ndjerë veten më mirë.
CMG: Ke kënduar në koncerte për bashëkatdhetarët në diasporë?
Vera Picari: Kam 10 vjet që jetoj në Londër, atje kam filluar të këndoj nëpër lokale bashkë me këngëtarë të tjerë. Gjithashtu kam shkuar shpeshherë me kostumin popullor në gëzimet familjare në Londër dhe Itali.
CMG: Besoj se ke plotësuar dhe një dëshirë të prindërve për t’u bërë këngëtare?
Vera Picari: Mamaja ime kishte një dëshirë të madhe, sikur mund ta kishte dhe babai. Gjithmonë e kanë pasur dëshirën që unë të bëhesha këngëtare, por vëllezërit e mi nuk më lejonin që unë të isha këngëtare. Gjithësesi mu realizua ëndrra ime e jetës. Kam realizuar këngën për nënën dhe një këngë tjetër “Mall për gjyshin”, për babain tim.
Vera Picari ne interviste per CMG
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Vera Picari: Kam disa projekte të reja në vazhdim, por do t’i le surprizë për publikun. Së shpejti do të lançoj një këngë të re për adhuruesit e mi.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe fansat tuaj.
Vera Picari: Dua t’i falenderoj të gjithë nga zemra për mbështetjen e tyre, që më adhurojnë mua, zërin tim dhe këngët tona popullore.
Intervistoi: Gazmend Agaj