TEA (Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama deklaroi se aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) është bërë një udhërrëfyes për turistët e huaj në Shqipëri, shkruan “ATSH”.
Ndërsa ndau në rrjetet sociale përshtypjet e disa turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë, dhe përdorin aplikacionin TEA si guidë digjitale, kryeministri Rama tha se turistët e huaj mund të njohin destinacionet, eventet kulturore dhe shumë aktivitetete të tjera përmes këtij aplikacioni.
TEA është kalendari digjital i turizmit, një platformë e mirorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.
Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe me të gjitha bashkitë e vendit. (Irma)