Ministri Gonxhja (Foto Atsh)
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale ftesën e shoqatës “United Nations Association Albania”, për t’iu bashkuar takimeve të diskutimit në bashkëpunim me ministrinë dhe grupet e interesit, me qëllimin për të diskutuar çdo rekomandim dhe propozim të gjeneruar nga grupet e punës të ngritura, duke përfshirë kështu drejtpërdrejt komunitetin artistik dhe duke siguruar që të gjithë zërat të jenë pjesë integrale e procesit të hartimit të politikave, shkruan “ATSH”.
UNAA bëri të ditur se në raundin e dytë të projektit “UNAA x Artnexus” do të rritet angazhimi për të nxitur politika kulturore më të hapura, gjithëpërfshirëse dhe demokratike në Shqipëri.
Kjo fazë vjen pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes UNAA-s dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili u firmos këtë verë pas prezantimit të studimit mbi mekanizmat e mbështetjes dhe burimet financiare për artin pamor në Shqipëri, mbajtur në prani të komunitetit artistik.
UNAA bëri të ditur se pjesë e misionit është hapja, duke siguruar që politikat e kulturës të jenë transparente dhe të aksesueshme për të gjithë aktorët e komunitetit kulturor. (Irma)