Infermiere per Shqiperine (Foto Atsh)
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njoftoi hapjen e aplikimeve për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi, shkruan “ATSH”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Koçiu njoftoi hapjen e aplikimeve për infermierë, mami, teknikë imazherie, laborator, fizioterapi dhe logopedi në portalin “Infermierë për Shqipërinë”.
Sipas saj, afati i aplikimit është deri më 5 shtator 2024.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.
Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit. (Irma)