Ministria e Brendshme përgatit projektligjin e ri të menaxhimit të sistemeve kufitare
2024-08-24 16:31:54

foto: VCG

foto: VCG

Menaxhimi i Pikave të Kalimit Kufitar të Shqipërisë nga ajri, deti dhe toka me vendet e rajonit pritet që t’i nënshtrohet disa ndryshimeve, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me sistemet kufitare, mbikëqyrjen dhe infrastrukturën e tyre, shkruan “RTSH”.

Kjo çështje po trajtohet në një projektligj të ri, i cili është hartuar nga Ministria e Brendshme dhe është hedhur për diskutim për palët e interesuara.

Sipas këtij projektligji, synohet që të sigurohet rritja e nivelit të përputhshmërisë me standardet europiane dhe ato të vendeve Shengen, në aspektin legjislativ, administrativ e institucional në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve, veçanërisht në fushën e kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit, forcimi i bashkëpunimit mes agjencive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Së dyti, synohet përmirësimi i sistemit për mbikëqyrjen e hapësirës detare, kontrollit kufitar dhe kërkim shpëtimit në det.

Së treti, kërkohet reduktimi i ndjeshmërisë në kufi duke reaguar në mënyrë më efektive me vendosjen e burimeve të disponueshme, bazuar në analizën e rrezikut të kryer dhe kërcënimit që mund të ndikojë në sigurinë kufitare.

Së katërti, synohet bashkëpunim i zgjeruar ndërinstitucional në menaxhimin e integruar të kufijve për të përmirësuar qarkullimin ndërkufitar, përmirësimin e sigurisë kufitare, luftën ndaj krimit ndërkufitar, mbrojtjen e jetës, shëndetit e pronën e njerëzve, shëndetin e kafshëve, bimësinë dhe ekosistemet përgjatë kufirit shtetëror.

Së pesti, synohet forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht BEsë dhe Agjencinë Evropiane të Rojes Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), për çështjet e kufijve, parandalimin e migracionit të paligjshëm, krimin ndërkufitar dhe ripranimin e personave me qëndrim të parregullt.

Së gjashti, synohet përmirësimi i infrastrukturës në Pikat e Kalimit Kufitar me qëllim krijimin e kushteve që sigurojnë kalim të lehtësuar e të sigurt të shtetasve e mallrave.

Po kështu rritja e forcës zbuluese kundër krimit ndërkufitar nëpërmjet rritjes së profesionalizimit dhe kapaciteteve teknike e strukturore për goditjen e fenomenit të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara për kalimin e kufirit. (Irma)