Të shtënat ndaj efektivëve, ministri i Brendshëm: Do të reformojmë organizatën e policisë
2024-08-23 16:08:06

Ministri i Brendshem, Ervin Hoxha (Foto RTSH)

Ministri i Brendshem, Ervin Hoxha (Foto RTSH)

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka reaguar në lidhje me të shtënat me armë zjarri ndaj punonjësve të policisë, gjatë një operacioni antikanabis në Malësi të Madhe. Hoxha shprehet se përveçse është një kambanë alarmi, kjo ngjarje i vendos përballë një detyre të madhe për të ndryshuar e reformuar organizatën e policisë, nga qendra në bazë, citon “Panorama”.

Ministri Hoxha theksoi nevojën e gjetjes së mekanizmave të menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit.

“Kjo kambanë alarmi na vendos përballë një detyre të madhe: për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për tê siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin”, - deklaroi ministri.

Ministri siguroi çdo punonjës policie për mbështetje për kryerjen e detyrës.

“Në detyrën e ministrit të Brendshëm do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive. Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm, për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor”,- theksoi ministri Hoxha.

Sipas tij, qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre.(Elona)