Projekti i Aeroportit të Vlorës (Foto Politiko.al)
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të mbarojë fizikisht së ndërtuari në fund të dhjetorit 2024 dhe të nisë nga fluturimet në mars ose prill të vitit 2025. Operatorët turistikë me eksperiencë gjykojnë se çmimet e aktivitetit turistik, sidomos në Rivierën e Jugut, do të fillojnë të ulen apo të barazohen brenda pak viteve me Shqipërinë e Mesme apo të Veriut, sapo të fillojë nga funksionimi Aeroporti Nderkombetar i Vlorës.
Janë tre arësye kokëforta që i shtyjnë operatorët turistikë ta gjykojnë në këtë mënyrë. Së pari, ky aeroport do i sjellë destinacionet turistike të Jugut të Shqipërisë më afër me turistët e huaj. Prenotimet e tyre do të fillojnë që nga muajt mars e prill të çdo viti, për të mbaruar në tetor. Më shumë turistë, nuk do të thotë çmime më të kripura, përkundrazi.
Së dyti, rrugët më të përshtatshme do të shtyjnë gjithnjë e më shumë emigrantë shqiptarë të planifikojnë pushimet e tyre në atdhe në Jug. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka mbi 1.68 milionë emigrantë ekonomikë në vendet e Bashkimit Evropian.
Së treti, një pjesë e mirë e emigrantëve tashmë kanë blerë apartamente në Vlorë, por dhe në të gjithë bregdetin e Rivierës Shqiptare, deri në Ksamil. Përmes linjave direkt nga Aeroporti i Vlorës, emigrantët mund të vijnë me pushime në shtëpitë e tyre të dyta në bregdetin e Jugut të Shqipërisë.
Që tani është konfiguruar qartë pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, më e gjatë se ajo e Aeroportit të Rinasit. Aeroporti do të ketë edhe një pistë paralele, për të kontrolluar përpunimin e avionëve.
Ndërkohë, ka filluar çertifikimi ndërkombëtar i stafit. Me një sipërfaqe prej 309 hektarë dhe një investim prej 104 milionë euro, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan.
Kjo kategori mund të përpunojë edhe avionë transatlantikë. Pra, nga SHBA-të apo nga Azia e Largët, nga Kina, mund të vijnë vizitorë për pushime në Shqipëri drejt e nga ky aeroport. Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e gjatë 3.2 km me gjerësi 60 metra.
Terminali i pritjes dhe përpunimit të pasagjerëve do të ketë një hapësirë 20 mijë metër katrorë, e mjaftueshme për të përpunuar edhe 3 milionë pasagjerë në vit. Eksperienca e ndërtimit të aeroporteve të rinj kërkon 3 faktorë kryesorë në ndërtimin e një aeroporti.
Ato janë transporti i zhvilluar, tregtia dhe turizmi. Me veprat e reja infrastrukturore, Jugu i vendit ka sot një kurorë rrugësh më të zhvilluar dhe shumë premtuese. Edhe pse tregtia me Greqinë nuk është e zhvilluar sa duhet në Jug, sërisht ajo është një faktor ndihmues. Faktori përcaktues është zhvillimi i turizmit tek ne.
Turistët e huaj që do të duan Rivierën dhe në tërësi Jugun e Shqipërisë për të vizituar, me Aeroportin e Vlorës kanë portën e duhur për të hyrë dhe kaluar në destinacionet që preferojnë. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është praktikisht më i gjati në Ballkan. Futja në veprim e tij në mars apo prill 2025, do t’i japë oksigjen të plotë turizmit në Jug të vendit. Aeroporti pritet ta rrisë ekonominë rajonale të Vlorës me mbi 11 përqind çdo vit, ndërsa ekonominë e Shqipërisë me mbi 0.4 përqind. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Vathi komenton ndikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në turizmin shqiptar dhe trendin aktual të tij.
Hotel në Vlorë (Foto Saba Group)
CMG: Z. Vathi, në një intervistë tuajën të fundit në media, jeni shprehur se turizmi në Rivierën shqiptare, pra në Jug, nuk do të vijojë të shtrenjtohet, pasi futja në veprim vitin e ardhshëm e Aeroportit të Vlorës, do të ulë çmimet ne Rivierë, madje do t’i sjellë baraz me çmimet në Durrës e Shëngjin, me kalimin e kohës. Pse e mendoni kështu?
Besnik Vathi: Unë e kam mbështetur këtë ide, me faktin që çmimet në jug janë pasojë e disa shkaqeve. Shkaku kryesor i tyre është mungesa e aksesit të turistëve të huaj në zonën e Vlorës dhe të Jugut në tërësi, pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit pranë Tiranës është larg prej tyre. Dhe kuptohet, nëse turistët e huaj do të duan të frekuentojnë hotele në plazhe, patjetër që do të duan të jenë afër aeroportit.
Ndërtimi dhe hapja e Aeroportit të Vlorës vitin që vjen natyrshëm bën që Jugu i vendit të jetë më pranë turistëve të huaj.
Shkallë pas shkalle, kjo varet edhe nga një faktor tjetër. Barazimi apo ulja e çmimeve të aktiviteteve turistike në Jug, në krahasim me qendrën e Shqipërisë, nuk ka ndodhur edhe për shkak të mungesës së inventarit hotelier në Jug.
Kjo mungesë do të plotësohet me hapjen e Aeroportit të Vlorës, pasi një aeroport i tillë do të sjellë një fluks shumë të madh të të huajve. Dhe kjo, jo vetëm për një periudhë dymujore, sikurse shfrytëzohet Jugu tani, por për një periudhë 4 mujore e më shumë. Kjo do të thotë që mungesa e shtretërve do e bejë të domosdoshme kërkesën që do të ketë për kontrata në zonën e Jugut. Dhe kërkesa do të shtyjë përpara ndërtimin e hoteleve të rinj, e kapaciteteve më të mëdha për shtretër.
Ajo që ju gjykoni dhe përmendni se duhet bërë ndonjë nxitje, përjashtim nga taksat për vitet e para në ndërtim të këtyre hoteleve, në formë nxitjeje, natyrshëm që do të duhet të bëhet. Madje, mendoj se duhet të gjenden forma të tjera nxitëse, që Jugu të jetë më pranë turistëve të huaj.
Ne po bëjmë shumë gabime, duke kërkuar rezidenca banimi, duke bërë që investitorët strategjikë të ndërtojnë rezidenca banimi në bregdet, dhe jo thjesht hotele. Kjo do ta vonojë më shumë futjen e Jugut të vendit në rrjetin ndërkombëtar të turizmit të huaj.
Mendoj që duhen ndërtuar resorte hoteliere. Palasa, Dhërmiu apo Himara nuk kanë nevojë për 100 dhoma, 20 apo 30, por në vend që të ndërtohen 7 hotele me nga 100 dhoma, mund të ndërtohet një hotel i madh me 700 shtretër dhe me sipërfaqe të madhe, që të ofrojë mundësi të ndryshme, atraksionet e duhura dhe sa më afër atyre kërkesave që ka një turist plazhi, si ato ujore, apo aktivitete të tjera të ndryshme që do të duhet të ofrohen në këtë zonë.
Besnik Vathi në intervistë për CMG
CMG: Ka patur shumë shqetësime për frekuentimin e plazheve të Shqipërisë në korrik të këtij viti, duke qenë se një pjesë e qytetarëve nga Kosova kanë zgjedhur destinacione jashtë Shqipërisë, me liberalizimin e vizave për ta. E keni ndarë edhe ju këtë shqetësim?
Besnik Vathi: Unë e kam theksuar vazhdimisht që mungesa e statistikave të sakta, e ndarjes së turistëve nga totali i vizitorëve të huaj, me rritjen e madhe të numrit të turistëve, por edhe të vizitorëve të huaj nga viti në vit, na sjell në atë gabim të fillimit, i cili ndihet më rëndë në shifrat dhe statistikat.
Tani e themi me bindje, por edhe vetë operatorët turistikë të Kosovës po shprehen, se po ikin vizitorët nga Kosova për në Greqi, Kroaci, Itali, Francë, etj.
Mirëpo ne nuk e pranojmë me shifrat që japim, pasi totali i hyrjeve nga Kosova edhe këtë vit do jetë më i madh sesa i viteve të kaluara, duke mos i pasur të ndarë turistët e mirëfillte nga vizitorët. Pra, duke mos patur shifra të sakta, ky problem i uljes së numrit të vizitorëve do të qarkullojë vetëm si shqetësim dhe s’do të ketë shifra të sakta.
Unë gjykoj që turistët nga Kosova janë më pak dhe do të ishin më pak, pasi Shqipëria kishte fatin e mirë që i ofronte Kosovës me detyrim-përcaktim në atë kohë kur ata nuk i kishin të liberalizuara vizat, se skeni nga të shkoni, në Shqipëri do të vini.
Në këto kushte, kur u liberalizuan vizat në Kosovë, Shqipëria jo thjesht i humbi si turistë patriotikë. Unë nuk i kam gjykuar se ata vinin për turizëm patriotik, por se nuk kishin ku të shkonin dhe vinin në Shqipëri. Tani Shqipëria duhet të konkurrojë si destinacion me çmimet, me shërbimet, për të ofruar një turizëm të qëndrueshëm.
Ka patur spekullim, që korriku këtë vit ishte me më shumë, apo më pak turistë në Jug të vendit. Jugu nuk është destinacioni kryesor dhe Jugu ka përqindjen më të ulët të shtretërve në 1 km vijë bregdetare.
Gjykoj se çdo shqetësim për plazhe bosh nuk vlen. Raportimi nuk fillon nga çadrat bosh apo plot, por a ka hotele bosh, a ka dhoma bosh, dhe jo pse nuk na shtrihen turistët në të gjitha çadrat që ne kemi hapur.
Plazhi i Palasës (Foto Albania Tourist Places)
CMG: Në mënyrë që turizmi kulturor të forcohet tek ne, a duhet që një kala apo perlë tjetër historike dhe arkeologjike e vendit, të merret në patronazh nga shqiptarë të njohur në botë, si violinisti Olen Çezari me kalanë e Porto Palermos, apo këngëtari bariton Gëzim Myshketa me Amfiteatrin e Durrësit? I përshëndesni këto nisma?
Besnik Vathi: Pavarësisht se janë të dobishme këto lloj aktivitetesh në monunemte të ndryshme kulturore, me qëllim që ato të jenë më të vizitueshme, turizmi nuk është thjesht plazh apo monument. Fillimisht, turizmi është hotel dhe fillon nga hoteli. Para pak ditësh, pashë debatet në media për plazhin e Gjipesë: jo plot, jo bosh.
Luftohet për ta përmendur, por sa shtretër ka në plazhin e Gjipesë? Hoteli më i afërt me këtë plazh sa është? Sa shtretër ka ky hotel? Po nuk shtuam vëmendjen per të patur resorte hoteliere, edhe ato atraksione kulturore nuk do ta kenë më vlerën e tyre. Pra lidhja e një muzeu, kalaje me një inventar të shtretërve të një hoteli, e bën më të vizitueshëm këtë monument.
Turistët nuk vijnë dhe nuk do të vijnë të shtrihen nëpër çadra dhe të shtrihen në plazh, por sa më shumë monumente të ketë në një destinacion turistik, aq më i frekuentueshëm bëhet ky destinacion. Dhe natyrshëm, destinacion turistik pa hotele nuk ka.
Të marrim plazhin tek Fshati Rinia. Të shkosh atje një të shtunë apo të dielë është plot. Mund të jenë edhe 100 mijë veta, por sa shtretër ka ajo zonë bregdetare? Sa të ardhura, përveç papastërtive, mund të sjellë vetëm shfrytëzimi i plazheve?
Shoqëruar me hotele që punësojnë në raportin 1 me 1, një i punësuar me nje pushues, kjo do ta bëjë zonën më atraktive, do të zhvillojë bujqësinë përreth destinacionit turistik, sepse këto hotele do të furnizohen nga prodhimet bujqësore të zonës. Pra, duhet të kemi një strategji të saktë, duke nxitur ndërtimin e resorteve, jo thjesht dhe vetëm brand-e.
Fjala “resort” duhet nënkuptuar një vend që të ofrojë jo thjesht fjetje apo plazh, por një destinacion turistik që i ofron të gjitha, përfshirë edhe vizitat në kala të ndryshme aty afër. Kjo, pasi ka aq shumë kala tek ne dhe janë afër zonave të destinuara për plazh. Mirëpo duhet të ketë strategji, për t’i shfrytëzuar së bashku të gjitha potencialet që ofron një destinacion.
Plazh në Dhërmi (Foto Happy Tours)
CMG: Jemi në muajin gusht, në pikun e sezonit turistik veror në Shqipëri. A duket ky sezon më i suksesshëm se ai i vitit 2023?
Besnik Vathi: Unë e shikoj me optimizëm, pasi po të krahasohemi me vitin 2023 dhe me ato shifra reale që ka patur për turizmin, edhe ky sezon ishte më i mirë se sa viti i kaluar. Nuk nisem thjesht dhe vetëm nga shifrat, por nga perceptimi im që ka më shumë lëvizje nëpër Shqipëri, ka më shumë rajone që vizitohen.
Shqipëria është bërë e vizitueshme në çdo qoshe të saj. Do të doja sinqerisht që të kishte rezultate të sakta, të analizuara më saktë. Më shumë janë vizituar monumentet e ndryshme, qytete të ndryshme, por në përgjithësi, turizmi nuk matet me një muaj, matet në total për gjithë vitin apo për sezonin.
Pra, duke qenë se fluturimet janë më shumë këtë vit, sesa vitin e kaluar, janë 20-30 përqind më të larta, natyrshëm që Shqipëria ka më shumë turizëm dhe të jemi të kënaqur që nuk janë shtrirë vetëm nëpër plazhe.
P.sh., të shkosh nga Leskoviku në Përmet gjen më shumë makina dhe askush nuk i përmend nga komentuesit dhe influencuesit e turizmit në rrjetet sociale, por merren sa çadra janë bosh apo plot.
Intervistoi Fatos Çoçoli