Foto nga VCG
Të premten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi me ftesë një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Keir Starmer.
Në fillim Xi e uroi Starmer-in për marrjen e detyrës së kryeministrit britanik. Ai vuri në dukje se tani situata ndërkombëtare është e ndërlikuar dhe Kina e Britania, si dy vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe ekonomi kryesore të botës, duhet t'i trajtojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe me një vizion afatgjatë e strategjik, duhet të mbajnë statusin e partneritetit, të forcojnë dialogun e bashkëpunimin dhe të krijojnë përfitime për të dy vendet dhe për mbarë botën mbi bazën e marrëdhënieve kino-birtanike të qëndrueshme e me leverdi të ndërsjellë. Kina bën përpjekje për të nxitur zhvillimin e vet e rilindjen kombëtare dhe ndjek rrugën e zhvillimit paqësor, theksoi Xi, duke shprehur shpresën se pala britanike do ta shikojë Kinën në mënyrë objektive e racionale. Plenumi i Tretë i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës bëri plane strategjike për të thelluar më tej reformat dhe për të promovuar modernizimin e stilit kinez. Kina do të përshpejtojë zhvillimin e forcave të reja prodhuese dhe do të promovojë industrializimin e tipit të ri, gjë që do të ofrojë më shumë mundësi për vendet e mbarë botës, përfshirë Britaninë. Kina është e gatshme të zhvillojë dialog të barabartë me Britaninë mbi bazën e respektit të ndërsjellë, të forcojë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, të forcojë ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit, të zgjerojë bashkëpunimin në fushën financiare, të ekonomisë së gjelbër, inteligjencës artificiale etj., dhe të thellojë shkëmbimet kulturore, duke e bërë përfitimin e ndërsjellë motivin kryesor të marrëdhënieve kino-britanike.
Nga ana e tij, Keir Starmer shprehu përgëzime për rezultatet e shkëlqyera të sportistëve kinezë në Lojërat Olimpike të Parisit. Ai u shpreh se zhvillimi i marrëdhënieve të ngushta midis Britanisë dhe Kinës përputhet me interesat e të dy palëve. Të dyja vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, financiare, arsimore, të energjisë së pastër, të shëndetësisë e mjekësisë etj., në favor të nxitjes së zhvillimit të tyre dhe të përballimit të përbashkët të sfidave globale, si ndryshimi i klimës. Pala britanike shpreson të forcojë kontaktet e dialogun në nivele të ndryshme me palën kineze, duke nxitur bashkëpunimin konkret e shkëmbimet institucionale dhe duke zhvilluar marrëdhënie afatgjata, të qëndrueshme e strategjike britaniko-kineze në frymën e respektit të ndërsjellë. Pala britanike është e gatshme të ruajë komunikimin me palën kineze për problemet e mëdha ndërkombëtare e rajonale dhe të japë kontribut për të ruajtur sigurinë e qëndrueshmërinë e botës. "Dua të theksoj se qëndrimi i Britanisë ndaj parimit të 'një Kine' nuk ka ndryshuar," theksoi Starmer-i.
Xi vuri në dukje se pala kineze i kushton rëndësi të madhe gatishmërisë së palës britaknike për forcimin e dialogut dhe dëshiron të ruajë shkëmbimet në nivele të ndryshme me palën britanike për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të të dy vendeve dhe për të bërë përpjekje të përbashkëta për të nxitur paqen e zhvillimin e botës. (Çang Çuo)