Ministrja Koçiu: Gati të hapë dyert për rreth 290 mijë banorë Poliklinika e Specialiteteve në Durrës
2024-08-23 16:11:49

Poliklinika Durres (Foto ATSH)

Poliklinika Durres (Foto ATSH)

Poliklinika e Specialiteteve në Durrës është gati të hapë dyert, pas përfundimit të rikonstruksionit të plotë të saj. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha se kjo poliklinikë do të ofrojë shërbime shëndetësore për rreth 290 mijë banorë të qarkut të Durrësit, shkruan “ATSH”.

Me ambiente pritjeje të zgjeruara, kushte bashkëkohore dhe aparatura të teknologjisë më të fundit, Poliklinika e Specialiteteve do të ofrojë shërbim të shpejtë dhe cilësor në 17 specialitete të ndryshme dhe ekzaminime laboratorike.

Në kuadër të këtij investimi, rëndësi i është dhënë krijimit të lehtësirave për të gjitha grupmoshat dhe mundësia e aksesimit për personat me aftësi të kufizuara. (Elona)