Kryeministri Rama: 67 mijë vizitorë gjatë korrikut në parkun Divjakë-Karavasta
2024-08-23 13:44:35

I cilësuar si një nga parqet kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë, Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.

Divjake (Foto ATSH)

Divjakë (Foto ATSH)

Vetëm gjatë muajit korrik, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta priti 67 mijë vizitorë. Shifrat i bëri të ditura kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi pamje nga ky park, i cili shtrihet rreth 5 km larg Divjakës, shkruan “ATSH”.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, shpallur zonë e natyrore e mbrojtur që nga viti 1995, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Si një ndër zonat më të rëndësishme komplekse të Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore.

Turistëve në këtë park iu ofrohet një guidë prej 5 km, ku ata njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Gjatë vizitës në park turistët mund të zhvillojnë disa lloje aktivitetesh, si ecje në natyrë (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare. (Elona)