Foto nga CFP
Një ekspozitë që fokusohet te Wu Zetian, perandorja e vetme femër në historinë e Kinës, po zhvillohet në Muzeun e Xiamen-it të provincës Fujian në Kinën Juglindore. Ekspozita, e cila do të zgjasë deri më 7 tetor, i ofron publikut një vështrim të veçantë për jetën dhe trashëgiminë e lënë nga ky personalitet i shquar historik.
Gjatë dinastisë Tang (618-907), shoqëria e hapur dhe gjithëpërfshirëse bëri të mundur që Wu Zetian të bëhej perandorja e vetme femër në historinë kineze. Identiteti i saj shumëplanësh ka shkaktuar polemikë dhe imazhi i saj kompleks dhe kontradiktor ka lënë një ndikim të thellë.
Ekspozita përdor rrëfimin në vetën e parë të Wu Zetian-it, duke i njohur vizitorët me sfidat, mundësitë dhe arritjet e saj në rrugën për t'u bërë perandore. Nëpërmjet portretizimit të gjallë, ekspozita jo vetëm shfaq talentet e arritjet personale të Wu Zetian-it, por edhe e vendos historinë e saj në sfondin më të gjerë të dinastisë Tang, duke i ftuar vizitorët të vlerësojnë figurat historike.
Ekspozita fillon me një eksplorim kronologjik të jetës së Wu Zetian-it. Pjesa e parë e ekspozitës shfaq jetën e saj të hershme në pallatin perandorak që nga lindja deri në bërjen perandore e dinastisë Tang, pjesa e dytë gjurmon procesin e saj nga perandore deri në kulmin e pushtetit, ndërsa pjesa e tretë tregon arritjet kulturore e ushtarake të Wu Zetian-it si sundimtare supreme.
Kjo ekspozitë përmban 113 relikte në 108 grupe, duke përfshirë sende ari e argjendi, qeramika me tre ngjyra të dinastisë Tang, statuja të vogla me ngjyra e murale, të mbledhura nga 13 muze në mbarë vendin. Këto relikte të rralla kanë krijuar një lidhje konkrete ndërmjet vizitorëve dhe dinastisë Tang, duke shfaqur gjallërisht e në mënyrë tërheqëse botën e Wu Zetian-it. (Fani)