Foto nga VCG
Loja elektronike 3A e prodhuar në Kinë, "Miti i zi: Wukong", po krijon një "mit" të ri! Kjo lojë, e vendosur në sfondin e mitologjisë kineze, arriti në krye të renditjes së lojërave më të luajtura në" Steam" brenda një ore nga publikimi i saj dhe u vlerësua gjerësisht nga lojtarët në mbarë botën.
Sipas një sondazhi global të kryer nga CGTN-i, shumica e pjesëmarrësve besojnë se kjo lojë demonstron forcën e industrisë së lojërave elektronike të Kinës dhe stimulon interesin e tyre për kulturën tradicionale kineze.
Popullariteti i lojës "Miti i zi: Wukong" vjen për shkak të nivelit të shkëlqyer të prodhimit. "IGN China", media më e madhe e lojërave dhe argëtimit në botë, i dha kësaj loje pikët maksimale, duke e quajtur atë një moment historik në industrinë kineze të lojërave dhe një lojë të prodhuar në vend me aftësi të fortë konkurruese në tregun global. Në sondazh, 88.2 për qind e të anketuarve shprehën besomin se kjo lojë përfaqëson cilësinë e lartë të prodhimit të këtij lloji lojërash në Kinë, duke demonstruar potencialin e madh të industrisë kineze të lojërave elektronike. Një përdorues interneti komentoi: "Nuk e kam luajtur videolojën, por kam parë se grafikët (e lojës 'Miti i zi: Wukong') janë shumë të mahnitshëm."
Nga "Genshin Impact" deri te "Miti i zi: Wukong", një numër i madh lojërash elektronike me karakteristika dalluese kulturore kineze pëlqehen nga lojtarët si brenda dhe jashtë vendit. Në këtë drejtim, 88.1 për qind e pjesëmarrësve në sondazh mezi presin të shohin ose të provojnë lojëra më të shkëlqyera kineze.
Përveç nivelit të shkëlqyer të prodhimit, loja "Miti i zi: Wukong" ka edhe shumë elemente kineze, si Loong-u kinez, Sun Wukong etj. Përveç kësaj, kjo lojë paraqet edhe shumë imazhe të arkitekturave të njohura të lashta kineze, si tempulli "Lingyin" në Hangzhou, gdhendjet në shkëmbinjtë Dazu në Chongqing dhe guvat "Yungang" në provincën Shanxi. Në sondazh, 92.1 për qind e atyre që u përgjigjën, shprehën besimin se loja ofron një mënyrë të re për lojtarët nga vende të ndryshme për të kuptuar kulturën e shquar tradicionale kineze dhe 89.6 për qind thanë se ishin të gatshëm të mësonin rreth librit "Udhëtim për në Perëndim", një rrëfenjë mitologjike kineze, ndërkohë që treguan interes të madh për të mësuar rreth kulturës tradicionale kineze.
Foto nga VCG
Pranvera me një lule nuk vjen, ndërsa çelja e plotë e njëqind luleve sjell pranverën në kopsht. Vitet e fundit, lojërat në internet, literatura në internet dhe dramat në internet me një stil të veçantë kinez janë bërë "treshja e re" që me anë të së cilës bota mund të mësojë rreth kulturës së shkëlqyer tradicionale kineze. Shkëmbimet dhe mësimi i ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve të ndryshme po përparojnë fuqishëm.
Sipas sondazhit, 84.3 për qind e të anketuarve presin të shohin ose të vijnë në kontakt me më shumë produkte në lidhje me kulturën kineze, duke përfshirë lojëra, drama televizive, filma e romane; 89.6 për qind u bënë thirrje krijuesve të famshëm të lojërave elektronike në botë të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin dhe të punojnë së bashku për të ofruar më shumë lojëra "të goditura" për lojtarët në mbarë botën, në mënyrë që së bashku të pasurojnë larminë e qytetërimit njerëzor.
Sondazhi u publikua në platformat në gjuhën angleze, spanjolle, franceze, arabe dhe ruse të CGTN-it, me 8,368 përdorues interneti që votuan dhe shprehën mendimet e tyre brenda 24 orëve.(Çang Çuo)