Foto nga VCG
Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, tha të enjten se negociatat për armëpushimin dhe një zgjidhje politike janë mjetet themelore për zgjidhjen e çështjes palestineze.
Besimi i verbër në arritjen e një fitoreje totale në Gazë do të çojë vetëm në më shumë viktima civile të pafajshme dhe nuk do të krijojë kushtet për lirimin e pengjeve, as nuk do të sjellë paqe apo qetësi në Izrael dhe në rajon, tha Fu në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Lindjen e Mesme, duke përfshirë çështjen palestineze.
Duke vënë në dukje se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe faktorë të tjerë në komunitetin ndërkombëtar kanë bërë në mënyrë të përsëritur thirrje të qarta për armëpushim dhe për t'u dhënë fund luftimeve, Fu theksoi se Izraeli e ka bërë veshin të shurdhër ndaj këtyre thirrjeve dhe nuk ka treguar asnjë shenjë për pranimin e tyre.
Fu tha se më shumë se dy muaj pas miratimit të Rezolutës 2735 të Këshillit të Sigurimit, operacionet ushtarake izraelite në Gazë vazhdojnë të shkaktojnë çdo ditë viktima të reja dhe veprimet e përsëritura provokuese dhe aventureske nga pala izraelite e kanë intensifikuar rrezikun e përhapjes së konfliktit.
Duhet të theksohet se çështjet humanitare nuk mund të politizohen, uria nuk mund të kthehet në armë dhe me jetën e civilëve nuk mund të bëhen ujdi, u shpreh Fu. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar duke hapur të gjitha pikat kufitare, duke garantuar hyrjen e shpejtë e të sigurt të furnizimeve humanitare, duke ndërprerë kufizimet e sulmet ndaj Kombeve të Bashkuara e agjencive humanitare dhe duke ofruar mbështetje e bashkëpunim për programin e vaksinimit të poliomielitit në Gazë, shtoi ai. (Çang Çuo)