Zonat e mbrojtura në të gjithë Shqipërinë janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm.
Të dhëna turistike (Foto ATSH)
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se rreth 2.5 milionë vizitorë shijuan nga afër zonat e mbrojtura gjatë muajve janar-korrik 2024, ose 28% më shumë se një vit më parë, kur numëroheshin 1.9 milionë vizitorë, shkruan “ATSH”.
Sipas Kumbaros, kjo shifër është tregues i rritjes së turizmit të qëndrueshëm, interesit për ekoturizmin, sportet e natyrës dhe kuriozitetin për të njohur biodiversitetin e Shqipërisë.
Ministrja Kumbaro u shpreh se ka një interes të rritur për të eksploruar parqet kombëtare e natyrore, monumentet e natyrës e peizazhet e mbrojtura nga veriu në jug, ku vendin e parë e mban qarku i Shkodrës me 609 mijë vizitorë.
Ndër qarqet e tjera më të vizituara janë Korça me 573 mijë vizitorë, Fieri me 359 mijë vizitorë, Vlora me 313 mijë vizitorë, Durrësi me 212 mijë vizitorë, Tirana me 92 mijë vizitorë. (Elona)