Çdo stacion autobusi në Tiranë me tabelë informuese elektronike
2024-08-23 14:41:14

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi shërbimin e linjës nr. 2 të urbanëve që operojnë në kryeqytet, e cila ka rinovuar plotësisht flotën e autobusëve të saj.

Erion Veliaj (Foto RTSh)

Nga Teminali Lindor i Autobusëve, Veliaj tha se me flotën e re shërbimi i transportit është përmirësuar ndjeshëm, por vuri në dukje edhe transformimin që do të ndodhë në vijim zbatimin e projektit të korsive të shpejta dhe sistemin “Urbani”.

Me flotën e re shërbimi është përmirësuar ndjeshëm pa e rritur çmimin e biletës. Kryebashkiaku foli edhe për risinë që do të ndodhë në stacionet e autobusëve, ku ka nisur puna për vendosjen e tabelave informuese për udhëtarët, shkruan “ATSH”.

“Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve sepse gjatë kësaj periudhe po transformojmë një pjesë të madhe të stacioneve. Do të vihen tabelat e reja, sipas një metodologjie që përdoret edhe në Paris, në Londër apo Nju Jork; pra, qytetarët do ta dinë saktësisht se ku ndodhet autobusi dhe si mund të lidhen me një linjë tjetër. Për momentin jemi duke punuar në 137 stacione, ku po vendosim tenda, tabela etj.”,- u shpreh ai.

Veliaj ndau edhe lajmin e mirë se linjat e Tiranës tashmë janë hedhur në “Google Maps”, gjë që u vjen në ndihmë jo vetëm qytetarëve të vendit, por edhe turistëve të shumtë. (Elona)