A po ftohet marrëdhënia e të rinjve të sotëm me familjarët dhe të afërmit?
2024-08-23 10:40:41

Familjet sot (Foto nga Reporteri)

Familjet sot (Foto nga Reporteri)

Familjet  e gjyshërve tanë dikur kishin shumë fëmijë që jetonin në një shtëpi të vogël. Rriteshin tre breza së bashku, prindërit, fëmijët, nipërit dhe mbesat, të cilët jetonin në harmoni. Një gjë që më bën përshtypje me ditët e sotme, është se familjarët dikur kishin më shumë respekt, më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes njëri-tjetrit. Jeta e tyre mund të ishte e vështirë, por ishin më të lumtur. Pas viteve ’90-të ne jemi dëshmitarë të një ndryshimi të familjes tradicionale. Ndryshimet sociale dhe ekonomike, si dhe kalimi i shoqërisë, nga një shoqëri tradicionale e mbyllur , në një shoqëri  më të hapur, kanë krijuar modelin e ri të familjes. Familja sot sa vjen dhe zvogëlohet. Në kohët që po jetojmë familja përgjithësisht përbëhet vetëm nga ajo familja e ngushtë,  nga prindërit dhe një apo dy fëmijë, duke zëvendësuar “familjen e madhe”, pjesë e së cilës janë edhe dajat, hallat, xhaxhallarët, tezet, kushërinjtë, me të cilët në kohët e sotme  takohemi vetëm në raste të mëdha gëzimi apo hidhërimi.

Familje e madhe (Foto personale)

Familje e madhe (Foto personale)

Në  ndryshimet e strukturës së familjes  kanë  ndikuar  dukshëm disa  faktorë, si imitimi i vlerave të huaja, emigrimi, koha e kaluar në rrjetet sociale, etj. Karakteristika të  krizës që vihen re  në familjet e sotme  janë edhe  shmangia e martesave, që nënkupton uljen e lindjeve. Në intervistë për Radio Ejani, Agimi, një qytetar nga Tirana, tregon opinionin e tij rreth kësaj teme.

CMG: Flasim për marrëdhëniet e familjarëve në kohët e sotme. Pse mendoni se po ftohen marrëdhëniet me familjarët ?

Agimi: Mendoj se shkaktari kryesor për këtë është interneti, i cili shkatërron  jo vetëm marrëdhëniet mes kushërinjve, shokëve, por  edhe marrëdhëniet brenda familjes. Po të shohësh njerëzit edhe kur janë në një familje duke drekuar apo darkuar, të gjithë i sheh me celularë në dorë, e nuk pyet njeri si është bërë dreka, nuk bëjnë asnjë muhabet, por të gjithë janë të përqëndruar tek interneti.

CMG: Ju personalisht, si i keni marrëdhëniet me kushurinjtë tuaj?

Agimi: Faktikisht edhe ne jemi shkëputur, na ka infektuar kjo puna  e internetit, jo vetëm fëmijët, mos ja vemë fajin vetëm atyre. Bëhemi vetëm me kushurinjtë e afërt, jo me të gjithë. Më përpara takoheshim  me gjithë fëmijët me  dajat, tezet, hallat, etj. Ndërsa sot për vizitë vijnë vetëm hallat apo tezet, e fëmijët jo. Por nëse nuk çojmë fëmijët tek njëri- tjetri, nuk kanë se si të mbajnë ata kontaktet me njëri- tjetrin dhe kështu ftohen marrëdhëniet vetvetiu.

CMG: Mendoni se ishte më mirë  dikur, apo sot?

Agimi: Është luksi që i mban larg sot, se më përpara me një top luanin të gjithë, mblidhej e gjithë lagjja, apo me një lodër që e kishte dikush, mblidheshim të gjithë bashkë për të luajtur, me aq lodra sa kishte njëri apo tjetri. Sot fëmijët kanë nga 100 lodra dhe nuk luajnë fare me to.

CMG: A bëni përpjekje me fëmijët tuaj, që të mos e humbasin kontaktin me kushërinjtë?

Agimi: Patjetër që u flasim vazhdimisht, sepse sa të bëhet një njeri i afërt, nuk të bëhet njeri tjetër. Shoqëria lëviz, do ndryshojë vend, do ndryshojë mënyrë jetese, por kushurinjtë ngelin kushurinj, çunat e xhajës apo gocat e tezes. I flasim gjithmonë fëmijëve tanë për këtë gjë, por është kjo koha tranzitore që po i infekton të gjithë.

CMG: Çfarë mesazhi do u jepni atyre që po ndjekin këtë temë?

Agimi: Sa më pak qëndrim në internet, sa më shumë aktivitete, lëvizje, sport me kushurinj, me shokë. Interneti të bllokon trurin, mos qëndroni shumë në internet. Nga qëndrimi në internet po bëhen fëmijët obezë edhe fizikisht edhe psikologjikisht, pasi nuk kanë më aktivitet fizik, po bëhen dembelë edhe duke e patur çdo gjë të gatshme në telefon.

Psikologia Qerime Daci (Foto Facebook)

Psikologia Qerime Daci (Foto Facebook)

-Si ka qenë dhe si është sot, marrëdhënia e fëmijëve me familjen dhe kushërinjtë? Psikologe Qerime Daci, jep opinionin e saj në lidhje më këtë temë.

CMG: Pse po ftohet marrëdhënia e të rinjve të sotëm me familjarët apo kushërinjtë e tyre?

Qerime Daci: Kjo është një temë mjaft delikate, pasi po shohim që dita- ditës njerëzit kanë ardhur duke u ftohur mes vetes. Nëse do i pyesnim për këtë gjë, ata do përgjigjeshin; “Koha ka ndryshuar”. Jo, në fakt janë njerëzit ata që e kanë ndryshuar veten e tyre dhe vetë kohën. Kanë ndryshuar ndjenjat, janë ftohur, është ftohur respekti ndaj njëri-tjetrit, komunikimi dhe dashuria. Po të bëni dallimin se si kanë qenë përpara dhe si janë tani, ka një balancë të madhe, se më përpara ka patur një familjarizim mes tyre, ndërsa sot dominon më shumë egoja e tyre.

Tani po shohim më shumë se kush ka pushtet, kush ka pasuri, kush vishet më bukur, madje edhe me rroba të shtrenjta, që mund t’i flasin dajës, kushërinjve në rrugë, etj. Një faktor tjetër që ka ndikuar është edhe teknologjia, pasi na ka bërë mekanik, robot të tij. Sidomos 10 vitet e fundit ka filluar një zbehje ndjenjash mes familjarëve, mes njëri-tjetrit, mes vetes, mes farefisit, ku ftohja fillon që nga përshëndetja.

Familja e vog毛l (Foto Gazeta Si).jpg

Familja e vogël (Foto Gazeta Si)

Për shembull përshëndetje nga një telefonatë, më pas me një shikim, më pas fillojnë largësia, më saktë gjejnë shkak që thonë, ‘jemi larg’. Madje po t’i shohim në rrugë, japin një përshëndetje të lehtë, duke krijuar një raport të lehtë farefisesh dhe ndjenjash mjaft të ftohta karshi njëri-tjetrit. Po të shohim raportet se si kanë qenë në vitet 2000, rreth 70 përqind e njerëzve kishin hyrje-dalje me njëri-tjetrin, komunikim dhe 30 përqind ftohje. Nëse flasim për vitin 2024, ndjenja e ftohjes dhe e kominikimit ka shkuar në 30 përqind. Gjatë këtyre viteve është ulur shumë ndjenja e dashurisë, duke e çuar në mungesën e socializimit të njeriut, si faktor i moskomunikimit mes njëri-tjetrit, por edhe ndikimi i teknologjisë, zhvillimi i tepërt i teknologjisë është një shkak kryesor. Kjo e ka çuar njeriun në humbjen e arsyetimit, në logjikë, madje në humbjen e shkrimit dhe leximit. Unë si mesazh do e jepja që, teknolgjia ka humbur shkrim-leximin.

-Dikur, të gjithë ne mbanim lidhje të forta mes brezave. Po sot, si janë lidhjet mes tyre? Sa shpesh takohemi kushërinjtë? A njihen fëmijët tanë me fëmijët e tyre? Është mirë që të reflektojmë në këtë drejtim. Dikur ishin prindërit ata që na merrnin me vete për të takuar njerëzit e afërm, duke mbajtur lidhje të forta mes brezash. Sot situata ka ndryshuar, fëmijët sot kanë tjetër qasje ndaj jetës dhe të afërmve. Ata janë më të distancuar dhe më të ftohtë.  Janë shumë problematika që lenë gjurmë edhe tek fëmijët, të cilët i perceptojnë sipas këndvështrimit të tyre. Nuk mund të fajësosh askënd, sepse e tillë është koha në të cilën jetojnë. Ndodh në shumë raste kur kushërinjtë mund të jenë në një klasë, apo në një shkollë dhe nuk njihen me njëri- tjetrin. Ka shumë ndryshime nga brezi në brez, që po zbehen lidhjet mes kushërinjve  dhe kjo lloj ftohje vjen nga mungesa komunikimit. Është  shumë e rëndësishme, që fëmijët të kuptojnë se nga i kanë rrënjët e tyre. Për të mbajtur gjallë këto marrëdhënie, duhet të ndërtojmë  tek fëmijët, ndjenjën e dashurisë dhe urat e komunikimit mes tyre.

Intervistoi: Sava Lena