Parlamenti iranian miraton kabinetin e ri, duke përfshirë një grua
2024-08-23 16:05:18

Parlamenti iranian (Foto ATSH) - Kopjo

Parlamenti iranian (Foto ATSH) - Kopjo

Parlamenti i Iranit miratoi kabinetin e ri të presidentit Masoud Pezeshkian, pasi përfaqësuesit ranë dakord për të 19 kandidatët, njoftoi kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, shkruan “ATSH”.

Një grua emërohet për herë të dytë në historinë e Republikës Islamike, Farzaneh Sadegh, për të drejtuar Ministrinë për Rrugë dhe Zhvillim Urban.

Ministri i ri i Jashtëm do të jetë Abbas Araghchi, një diplomat me përvojë dhe ish-kryenegociatori i marrëveshjes bërthamore të Vjenës.

Esmaeil Khatib, i cili është subjekt i sanksioneve amerikane, ruan postin e ministrit të Informacionit dhe kreut të Shërbimit të Inteligjencës, të cilin e mbajti nën presidencën e të ndjerit Ebrahim Raisi.

Eskandar Momeni, i cili është oficer në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe ish-zëvendësdrejtuesi i zyrës së prokurorisë, merr rolin e ministrit të Brendshëm. Amin-Hossein Rahimi mbetet ministër i Drejtësisë.

Ministri i Kulturës dhe Udhëzimit Islamik, Abbas Salehi, rikthehet në postin që mbajti nga viti 2017-2021 nën presidencën e Hassan Rohanit.

Ministri i ri i Financave, Abdolnaser Hemmati, është një ish-guvernator i Bankës Qendrore të Iranit dhe kandidat presidencial në vitin 2021. (Elona)