Gjadri (Foto RTSh)
Inxhinierët italianë kanë inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në kampin e refugjatëve në Gjadër të Lezhës. Ideatorët e këtij projekti pas këtij vëzhgimi do të vendosin edhe për datën përfundimtare se kur do të mbyllen punimet, që më pas kjo qendër të mirëpresë refugjatët të cilët do të ndalohen nga autoritetet italiane dhe më pas do të sillen në qendrat e pritjes në Shqipëri, shkruan “RTSH”.
Në Gjadër është vendosur një pjesë e shtëpizave ku do të qëndrojnë personeli dhe refugjatët dhe po vijon puna për përfundimin e strukturave akomoduese, që pritet të jenë gati në fillim të shtatorit.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes. Agjencia do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut.
Sipas marrëveshjes me Italinë, të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta do të jetë Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse. Pas përfundimit të procedurës së identifikimit dhe kërkesës për azil emigrantet do të qëndrojnë në Gjadër deri në marrjen e një vendimi për kërkesën e tyre nga gjykata italiane. (Irma)