Ministri Vengu (Foto Atsh)
Pas një përpjekjeje intensive prej pesë ditësh, misioni i shuarjes së zjarreve në Shqipëri ka përfunduar me sukses.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shprehu mirënjohje për stafin rumun të angazhuar në operacion, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë misionit, shkruan “ATSH”.
Ministri Vengu falënderoi edhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e ngushtë në koordinimin e këtyre përpjekjeve.
Dy avionët ushtarakë rumunë të tipit C-27J Spartan dhe C-130 Hercules, të cilët u angazhuan në këtë mision në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër flakëve që kishin përfshirë disa nga zonat më të rrezikuara të Shqipërisë.
“Ky mision ishte një shembull i shkëlqyer i solidaritetit europian dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në momente kritike. Ndihma e dhënë nga Rumania dhe Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile ka qenë e paçmueshme për menaxhimin e situatës emergjente në vendin tonë,” tha ministri Vengu.
Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila ka luajtur një rol kyç në koordinimin dhe mbështetjen e operacionit në terren, duke bërë të mundur që përpjekjet ndërkombëtare dhe ato vendase të bashkërendohen në mënyrë efikase.
Ambasadori rumun në Shqipëri, Oktavian Serban, i pranishëm në këtë aktivitet, falënderoi Bashkimin Europian për vendimin që morën për të ndërhyrë, si dhe trupat shqiptare për punën e tyre në luftën me zjarret dhe bashkëpunimin shumë të mirë.
Avionët rumunë, që prej datës 14 gusht iu bashkuan përpjekjeve të Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të tjera lokale për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret në Shqipëri. (Irma)