Ndihmesi i Zelenskyt (Foto Rtsh)
Ukraina vazhdon të çojë përpara inkursionin e vet në rajonin kufitar rus, Kursk, dhe tani kontrollon qindra kilometra katrorë të territorit, mirëpo me veprimet e saj synon të krijojë një zonë neutrale dhe jo të pushtojë toka ruse, bënë të ditur autoritetet ukrainase, raporton “RTSH”.
Njëri prej këshilltarëve më të lartë të presidentit Zelensky, Mykhaylo Podolyak, deklaroi në një intervistë televizive se operacioni i Ukrainës e ka një synim të qartë dhe është në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar, por edhe mbron popullatën civile.
“Ukraina nuk synon të zaptojë territore të populluara apo të pushtojë këtë territor”,- tha Podolyak.
Ukraina nisi më 6 gusht kundërofensivën e befasishme në rajonin rus Kursk, duke ndryshuar dinamikën e konfliktit dhe duke detyruar rreth 120.000 persona të largohen nga shtëpitë e tyre.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi më herët se detyra kryesore e Ukrainës është të shkatërrojë sa më shumë potencial rus dhe të kryejë kundërsulmin me kapacitet maksimal, me qëllim të krijimit të një zone neutrale.
Podolyak sqaroi nevojën e një zone të tillë, duke thënë se Rusia ka kryer sulme në infrastrukturën ukrainase prej zonave kufitare. (Irma)