Komisioni Evropian publikoi të martën rezultatet përfundimtare të hetimeve anti-subvencion të makinave elektrike kineze. Ai rekomandoi një tarifë shtesë pesëvjeçare prej 17%-36.3% ndaj automjeteve elektrike të markave kineze, si dhe atyre të prodhuara nga kompanitë europiane në Kinë.
Foto:VCG
Sipas një analize të Grupit Mediatik të Kinës, nëse kjo masë proteksioniste tregtare do të zbatohet, jo vetëm që do të dëmtojë seriozisht interesat e industrisë së automjeteve të Kinës, por do të krijojë edhe pasoja për palën europiane, në sajë të dëmtimit të bashkëpunimit me Kinën në zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit.
Analistët vunë në dukje se në krahasim me vendimin e njoftuar në korrik, përqindja e tarifës shtesë është ulur disi, por një shkallë uljeje brenda 2% nuk ndryshon natyrën e faktit që mjetet hetimore po përdoren si “armë” për të minuar konkurencën e ndershme, thuhet në komentin e CMG-së.
Referuar komentit, që kur Komisioni Evropian vendosi nisjen e një hetimi ndaj subvencioneve për automjetet elektrike kineze, në tetor të vitit të kaluar, pala europiane ka ndëmarrë një sërë veprimesh që u mungon drejtësia dhe arsyeshmëria.
Foto:VCG
Nga njëra anë, i ashtuquajturi "hetim" u nis direkt nga Komisioni Europian, pa asnjë aplikim nga industria e automjeteve, gjë që shkel dukshëm vullnetin e tregut.
Nga ana tjetër, për të arritur qëllimet e paracaktuara, Komisioni Evropian zmadhoi të ashtuquajturat "projekte subvencionesh" të palës kineze, duke përjashtuar kompanitë evropiane dhe amerikane me volum më të lartë eksporti, për të shënjeshtruar vetëm kompanitë vendase kineze. Duke mos përmendur faktin se i gjithë procesi ka pafund parregullsi, paqartësi dhe padrejtësi në praktikimet hetimore dhe nxjerrjen e kampioneve.
Pavarësisht nga motivet e disa politikanëve evropianë për të shtypur industrinë e automjeteve elektrike të Kinës, një gjë është e sigurt - veprimet e tyre dëmtojnë jo vetëm Kinën por edhe vetë veten e tyre, madje janë kritikuar gjerësisht.
Udhëheqës si kancelari gjerman Scholz kanë shprehur kundërshtim në mënyrë publike, për kufizimet në tregtinë e automjeteve, duke bërë thirrje për ruajtjen e tregtisë "të drejtë dhe të lirë". Gazeta britanike “The Times” dhe media të tjera kanë botuar disa artikuj, duke theksuar se Bashkimi Europian po këshillon konsumatorët të përdorin automjete elektrike, ndërkohë po përpiqet të bllokojë furnizimin e automjeteve elektrike me kosto më të ulëta.
Foto:VCG
Sipas komentit, teksa mosmarrëveshjet Kinë-BE për tarifat shtesë të automjeteve elektrike po shtohen, disa vende evropiane po kërkojnë të investojnë në mënyrë aktive tek kompanitë kineze të makinave dhe të ndërtojnë fabrika në të. Pak kohë më parë, gjatë vizitës së kryeministres italiane Meloni në Kinë, nxitja e bashkëpunimit në automjetet e energjisë së re ishte një nga temat kryesore.
Megjithatë, këtu ka një logjikë " të shtrembëruar" . Disa vende po mbështesin BE-në në vendosjen e tarifave të larta ndaj kompanive kineze, me supozimin se kompanitë kineze do të investojnë në vendet e tyre për të nxitur ekonominë vendase. Por nëse BE përdor mjete proteksionizmi tregtar dhe përkeqëson atmosferën e përgjithshme të bashkëpunimit Kinë-BE, atëherë pse kompanitë kineze të makinave të mos ndihen në rrrezik dhe të pasigurta në eksplorimin e tregut në Europë?
Thelbi i bashkëpunimit Kinë-BE është përfitimi reciprok. Kina ka vepruar gjithmonë me sinqeritetin më të madh. Ajo është e përkushtuar të trajtojë mosmarrëveshjet tregtare me BE-në përmes dialogut dhe konsultimit. Por kjo s'do të thotë që Kina do të rrijë duarkryq dhe do të shohë si bëhet "viktimë" e proteksionizmit tregtar.
Më datën 9 Gusht, Kina i është drejtuar mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së për masat e përkohshme tarifore të BE-së ndaj automjeteve elektrike. Kjo flet për një sinjal të qartë se Kina do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e veta legjitime.
Foto:VCG
Sipas agjendës, Komisioni Evropian do të marrë një vendim përfundimtar para datës 4 nëntor. Ndërsa afrohet përfundimi i "periudhës së dritares", Brukseli duhet të dëgjojë me kujdes zërat e brendshme, të vlerësojnë humbjet dhe fitimet, duke përshpejtuar diskutimet me Kinën për zgjidhjet e duhura, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i fërkimeve tregtare dhe dëmtimi i besimit e bashkëpunimit me Kinën, përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Elona)