Lindjet në Shqipëri ranë me 5.1% në 6-mujorin e parë të vitit
2024-08-22 15:39:15

LIndjet (Foto Panorama)

LIndjet (Foto Panorama)

Në 6-mujorin e parë të vitit lindjet në shkallë kombëtare ranë me 5.1%. Për qarqet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Kukësit tkurrja ishte 2-3 herë më e madhe, thuhet në raportin e publikuar nga Instituti shqiptar i Statistikave, shkruan “Panorama”.

Vlora shënoi rënien më të madhe të lindjeve, me rreth 16% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë qark në gjysmën e parë të vitit lindën vetëm 468 bebe nga 556 që kishin lindur me 2023 në të njëjtën periudhë.

Pas Vlorës rënia më e madhe e lindjeve ishte në Qarkun e Gjirokastrës me rreth 14 %. Në këtë qark në janar-qershor 2024 lindën 144 bebe nga 167 që lindën në 6-mujorin e parë 2023.

Qarku i Kukësit u rendit i treti për normën e lartë të rënies së lindjeve me 2024. Në janar -qershor në këtë qark linden 318 bebe me rënie 9.4% në krahasim me 6-mujorin e parë.

Gjithashtu rënia e lindjeve mbi mesataren kombëtare ishte e pranishme edhe në qarqet e Lezhës, Beratit, Shkodrës dhe Durrësit.

Ndërsa në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Korçë lindjet ranë me pak se 5%.

Qarku i Korçës kishte rënien më të ulët të lindjeve vetëm me -2.3, pasuar nga Fieri me -3.7%.

Normat e lindshmërisë kanë rënë në mënyrë të qëndrueshme në këto tre dekada, por në dy vitet fundit, janë përshpejtuar, duke sinjalizuar përkeqësim të fenomenit në vitet e ardhshme.

Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve. (Irma)